Franca në janar do të shqyrtojë një projektligj që synon të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15-vjeç dhe telefonat celularë në shkollat e mesme, raportoi sot “Franceinfo”, transmeton Anadolu.
Këshilli i Shtetit Francez do të shqyrtojë projektligjin më 8 janar me qëllim ndalimin e aksesit në mediat sociale për të rinjtë nën moshën 15-vjeç dhe ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme duke filluar nga viti i ri shkollor, që do të thotë shtatori 2026.
Sipas burimeve qeveritare, projektligji është hartuar në një mënyrë që siguron se është në përputhje me ligjin evropian, ndryshe nga një përpjekje e mëparshme që dështoi.
Në nëntor, presidenti francez Emmanuel Macron tha se dëshiron ta zgjerojë ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme që nga fillimi i vitit shkollor 2026-2027 dhe të vendos një ndalim të mediave sociale për të rinjtë nën 15 ose 16-vjeç.
Ndalimi i telefonave celularë ka qenë tashmë në fuqi nga kopshti deri në shkollën e mesme sipas një ligji të vitit 2018, megjithëse ndonjëherë ka rezultuar i vështirë për t’u zbatuar.
Shumë studime akademike kanë dokumentuar rreziqet për shëndetin mendor të përdorimit të mediave sociale nga të rinjtë si dhe rreziqet e shpërqendrimit nga telefonat celularë tek adoleshentët.
