Ballina Autorë Opinione “Gaboi hoxha” e jo Shalli dhe as Hoxhallarët

“Gaboi hoxha” e jo Shalli dhe as Hoxhallarët

Hoxhë Husamedin Abazi

A po e shihni këto ditë këtë Kampanjë të shpifur të Islamofobëve dhe medieve të tyre ndaj hoxhallarëve dhe simbolit të hoxhës, Shallit? Kjo Kampanjë po shihet qartazi se është një simfoni mirë e orkestruar nga këto çarqe islamofobe dhe antikombëtare.

Pa dashur t’i cek të gjitha format islamofobe të trajtimit të kësaj çështjeje, dua të cek se dashakeqësia e tyre vërehet edhe në atë se kur eventualisht ndonjë hoxhë edhe bën ndonjë shkelje, këta flasin në shumës dhe në vend të personit në fjalë, ata e nxjerrin Shallin e hoxhës në krye të artikullit, me çfarë dëshirojnë të përfshijnë të gjithë hoxhallarët, ose më së paku institucionin e hoxhës. Besoj që pajtoheni se të njejtën nuk e bëjnë me asnjë komunitet tjetër dhe as profesion (nëse duam ta llogarisim hoxhllëkun si profesion). Nëse bën shkelje të caktuar një mjek, arsimtar, profesor… Asnjë medie dhe asnjë nga këta islamofob nuk e akuzojnë një komunitet të tërë nga këto, por flasin në njejës për individ të caktuar dhe mendoj se bëjnë mirë që veprojnë kështu, por pse të njejtën nuk e bëjnë edhe kur kanë të bëjnë me hoxhallarët dhe Fenë Islame?

Epo, përgjigjen e di fatkeqësisht! Thjesht nuk do dëshiroja ta dija. Pse? Sepse thellë dua të besoj që një urrejtje e tillë fetare ndaj një grupi të caktuar fetar (pikërisht neve) nuk ekziston në vendin tonë. Të paktën edhe nëse ekziston, dua të besoj që ekziston tek një masë e vogël (masë kjo ekonomikisht e përkrahur për të kryer pikërisht këtë punë), që ka zë sepse i ipet zë. Po se po që ka zë, por që në asnjë rrethanë nuk përfaqëson mendimin dhe disponimin e shumicës.

Hoxhë Husamedin Abazi

Exit mobile version