Çmimin që dikur e pagoi Bilali dhe i tërë brezi që u edukua nga Muhamedi a.s., për t’u çliruar nga idhujtaria dhe robëria.
Njëshmëria dhe liria nuk janë dhurata , ato kanë çmim të lartë.
Ishte Bilali ai që përballoi torturat mizore të zotërisë së tij dhe duroi shkëmbin mbi gjoks, në vapën përvëluese të mesditës mekase.
Ishte brezi i edukuar nga Pejgamberi a.s. ai që qëndroi i rrethuar, i izoluar dhe i bojkotuar për tre vite nga idhujtarët kurejshitë, të cilët me çdo kusht donin t’i kthenin në idhujtari dhe robëri.
Por ata nuk u përkulën.
Ata e paguan çmimin e bindjes, të lirisë dhe të besimit , edhe nëse duhej të hanin rrënjë drunjsh, lëkura kafshësh apo çfarëdo tjetër që gjenin për të mbijetuar.
Ashtu siç po e paguajnë sot banorët e Gazës, të cilët po vdesin nga uria , për fajin e vetëm se po ndjekin gjurmët e Bilalit dhe trashëgiminë e brezit të Pejgamberit a.s.
Torturat e Bilalit përfunduan me aktin fisnik të Ebu Bekrit, i cili e bleu dhe e liroi.
Vuajtjet e brezit të parë morën fund kur burrat e ndershëm arabë, me zemër e me ndjeshmëri, nuk duruan dot të hanin e të pinin, ndërsa vëllezërit e tyre vdisnin nga uria.
Sot Gaza po pret Ebu Bekrin e saj…
Po pret ndjeshmërinë e burrave që dikur u digjte gjaku kur vëllai i tyre binte në robëri.
A do të vijë vallë koha kur askush s’do t’i dëgjojë më klithmat e grave dhe fëmijëve, të cilëve po u shteret edhe zëri i fundit për një kafshatë buke e një pikë ujë?
A do të vijë vallë dita kur dy miliardë besimtarë, që çdo ditë përmendin fjalën e Pejgamberit a.s. :
“Pasha Allahun, nuk ka besuar ai që bie të flejë me barkun plot, ndërsa fqinji i tij është i uritur” , të heshtin?
Kur ata që krenohen me një qytetërim që urdhëronte që edhe në male të ndaheshin frutat që të mos ngordhte një kafshë, të mos jenë në gjendje të ndajnë as një pikë ujë për vëllezërit dhe motrat e tyre?
A është e mundur të vijë një kohë kur mbi 300 milionë arabë do ta kenë humbur aq shumë ndjenjën e krenarisë dhe burrërisë, sa fqinjëve të tyre të mos kenë çfarë t’u ofrojnë , as bukë, as ujë?
A do të vijë dita kur tetë miliardë njerëz në këtë botë nuk do të jenë në gjendje të ndalin një masakër, një gjenocid, një spastrim etnik, që po kryhet me armën më të poshtër , urinë?
Ne, bashkë me ta, po e shohim, po e ndjejmë këtë realitet të heshtjes së rëndë, që na ka zhytur në sikletin e turpit dhe dështimit.
Në këtë ndjenjë turpi e pamundësie që na ka kapluar , edhe pse nuk i kemi shteruar ende të gjitha mundësitë , nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u kërkojmë falje vëllezërve tanë:
Për zhgënjimin, për dorëzimin… për tradhtinë që ua bëmë , si ummet, si komb… si njerëz.
O Allah, të lutemi:
Na fal për këtë turp që na ka pllakosur.
Na fal për këtë pamundësi që na ka mbytur.
Na fal për këtë heshtje që po na fundos.
Hoxhë Rufat Sherifi
