Ballina Artikuj A je i sinqertë, apo vetëm dukesh i tillë?

A je i sinqertë, apo vetëm dukesh i tillë?

“Ka shpëtuar ai që e pastron shpirtin e vet”
Kjo nuk është një premtim i lehtë,
por një provë që përsëritet çdo ditë.
Suksesi këtu nuk është të fitosh ndaj njerëzve, por të shpëtosh nga vetja jote.
Nga ajo vetë që di të të bindë se je mirë edhe kur brenda po shkatërrohesh.
Pastrimi i shpirtit nuk fillon kur gabon, por kur kupton se po e justifikon gabimin pa e ndjerë.
Kur bën të njëjtën gjë, por këtë herë me një qëllim pak të shtrembër,
me një farë të vogël syfaqësie, me një dëshirë të fshehtë për t’u parë, për t’u lavdëruar, për t’u dukur “ndryshe”.
Dhe pikërisht këtu humbja fillon në heshtje.
“Dhe ka dështuar ai që e ka poshtëruar atë”
Rënia nuk është një shembje e menjëhershme, por një grumbullim i heshtur.
Një herë e shtyn pendimin, një herë e zvogëlon gabimin, një herë thua: “s’është gjë e madhe”, derisa zemra bëhet më pak e ndjeshme, më pak e frikshme dhe më pak e gjallë.
Pastrimi i shpirtit nuk është të shtosh veprat, por të pastrosh arsyen pse i bën ato.
Të ndalesh me veten pa zbukurime, dhe të bësh pyetjen prej së cilës të gjithë ikim:
“Nëse askush nuk do të më shihte… a do ta bëja këtë?”
Nëse përgjigjja është “jo” atëherë nuk po e pastron veten, por po zbukuron imazhin tënd.
E vërteta e rëndë: gjëja më e vështirë në këtë rrugë është ta shohësh veten siç e sheh Allahu, jo siç e sheh ti.
Por shpëtimi është pikërisht këtu.
Të thyhesh pa u rrënuar, të pranosh pa u dëshpëruar, të kthehesh çdo herë me një zemër më pak pretenduese dhe më të sinqertë.
Përfundimi:
Allahu nuk e sheh imazhin që ti di ta paraqesësh, por brendësinë që ti di ta fshehësh.
Ose do ta rregullosh atë, ose ajo do të mbetet arsyeja që prish gjithçka.
O Allah, pastroji shpirtrat tanë me një pastrim që të kënaq Ty,
pastroji zemrat tona nga syfaqësia e fshehtë dhe hipokrizia e imët, na bëj të sinqertë me Ty në fshehtësi para se në publik, mos na lër të mashtrohemi nga vetja jonë dhe as nga pamja jonë, dhe përmirëso atë që është e fshehur brenda nesh.
E huazuar

Rufat Sherifi

Exit mobile version