Kur je në një dhomë të errët, me pak dritë, mundesh me i dallu objektet. Por nëse dikush vjen prej një dhome shumë të ndriçuar dhe hyn në errësirën ku je ti, në fillim nuk sheh asgjë. I duhet pak kohë derisa sytë e tij të përshtaten me errësirën.
Kjo na shërben si metaforë për filozofin që del nga shpella dhe e sheh të vërtetën. Kur kthehet te njerëzit që vazhdojnë të jetojnë në shpellën e imitimit dhe të iluzioneve, ai nuk i sheh më gjërat ashtu siç i shohin ata. Mendon ndryshe, flet ndryshe dhe, natyrisht, fillon të përballet me kundërshtime.
Diçka të ngjashme e kemi edhe te historia e pejgamberëve të Zotit. Ata njiheshin me të vërtetën hyjnore dhe pastaj ktheheshin te populli i tyre për t’ua përcjellë atë. Por, në vend të pranimit, shpesh përballeshin me rezistencë, përqeshje dhe kundërshtime. Sepse njerëzit ishin mësuar me atë që kishin trashëguar dhe nuk donin ta ndryshonin mënyrën se si e shihnin botën.
Njeriu që e ka përjetuar besimin dhe e ka njohur dimensionin shpirtëror të jetës, e ka të vështirë ta imagjinojë kthimin në mosbesim. Këtë kuptim e gjejmë edhe në fjalët e Pejgamberit Muhamed, paqja qoftë mbi të, kur thotë se ai që e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit, e urren kthimin në mosbesim ashtu siç urren të hidhet në zjarr.
Prandaj, pejgamberët nuk e ndërtonin të vërtetën sipas dëshirës së turmës dhe nuk e ndryshonin mesazhin vetëm për t’u pëlqyer njerëzve.
Hoxhë Halil Avdulli
