Shkruan: Nexhmedin Ademi
Diskursi fetar në opinionin publik shqiptar është i përfshirë në mënyrë konstante. Ka një përpjekje në opinionin publik tek ne që diskursi fetar islam të analizohet entitet i izoluar dhe i pavarur nga zhvillimet sociale, politike dhe kulturore në shoqërinë moderne. Gjetjet kërkimore në fushën e hulumtimeve diskursive si pjesë e studimeve sociokulturore, diskursin fetar e shohin në marrëdhënie të vazhdueshme me jetën kulturore, politike dhe ekonomike. Kjo marrëdhënie përdorimin religjionit nuk e shikon vetm si përdorim shpirtëror. Narracioni fetar përdoret edhe për ndërtim të identiteteve kolektive, mobilizim për legjitimitet politik, orientimeve kulturore gjeostrategjike dhe pozicionimeve identitare.
Analiza Kritike e Diskursit dhe dekonstruktimi i gjuhës
Një postim i para dy ditëve nga gazetari z. Enver Robelli e përfshiu Luginën e Preshevës në betejën diskursive në opinionin publik shqiptar duke e targetuar diskursin fetar islam. Më duhet të pranoj se qasja kritike e autorit ndaj shumë zhvillimeve sociale, politike e kulturore meriton respekt. Duhet të kuptohet se jo çdo kritik ndaj ektremizmit dhe radikalizmit islamik duhet të konsiderohet sulm ndaj islamit si kujtesë historike dhe narracion identitar e kulturor në shqiptari. Për të dalluar gjykimet përgjithësuese që mund të fabrikojnë të vërtetën rreth përkatësisë identitare islame ndër shqiptarët duhet të njohim kuadrin teoriko metodologjik brenda studimeve sociokulturore që ndihmon në dekonstruktimin e gjuhës diskursive dhe tendencën për ideologjizimin e kësaj gjuhe. Teoricienë të ndryshëm janë marrë me studimin e diskursit. Në literaturën e shkencave shoqërore termi diskurs nënkupton përdorimin e gjithannshëm të gjuhës së kodifikuar brenda përvojës shoqërore. Në kuadër të metodës kualitative të përmbatjes Analiza Kritike e Diskursit me qasjen etnografike, dhe qasjen narrative e semiotike ndihmojnë në interpretimin e kuptimit të imazhit të ndërtuara nga ekspozimi mediatik i religjionit në opinionin publik. Një nga teoricienët e njohur të studimeve mbi dikursin Mishel Fuko shpjegon kuptimet latente të gjuhës në funksion të dominimit duke shpjeguar relacionin e gjuhës, dijes me institucionet shtetërore. Për Fukon, diskursi „nuk është thjesht një luftë apo një sistem dominimi që mund të përkthehet në fuqinë e gjuhës, por është diçka përmes së cilës lufta zhvillohet. Diskursi është fuqi që duhet të fitohet. Ndërsa Habermasi e shqyrton diskursin nga këndi i teorive mbi demokracinë deliberative dhe veprimit komunikativ. Kjo teori mundëson që të kuptojmë se konsensusi në shoqëri arrihet përmes komunikimit racional, ku pjesëmarrësit e ndryshëm në botën diskursive synojnë marrëveshjen dhe kuptimin e përbashkët. Teoricienë tjerë të diskursit si Faircloughu është marrur me konceptin e Analizës Kritike të Diskursit (AKD), ndërsa Van Dijk ka hulumtuar qasjet teorike kognitive të diskursit, duke u ndalur në ndikimin e aspektit mendor dhe realitetit shoqëror në formimin dhe modelimin ideor të kuptimit të diskursit. Nëse do ta analizonim tekstin e gazetarit z. Enver Rrobelit bazuar në Analizën Kritike të Diskursit do të shohim se teksti ështe selektiv dhe mbështetet në logjikën reduksioniste. Postimi në fjalë mund të konsiderohet paragjykues, stigmatizues i cili diferencon përkatësinë identitare islame si pjesë e trashëgimisë kulturore, historike dhe nacionale të shqiptarit. Ky paragjykim nuk mund të demantohet me një paragjykim tjetër. Prandaj duhet referuar Analizës Kritike të Diskursit e cila mundëson të nxjerrim disa përfundime të argumentuara rreth gjuhës së përdorur nga autori e cila mund të kualifikohet eksluziviste dhe e dëmshme për kultivimin e jetës pluraliste një standard i kërkuar në shoqëritë me demokraci të konsoliduar.
Narrativa kërcënuese e tekstit
Teksti fillon me denoncimin kritik të qëndrimeve të caktuar nga disa imamë, individë fetarë. Me këtë synohet të ndërtohet një naracion kërcënues për shkak të pranisë së disa imamëve të cilët paraqiten dëshmi rreziku për Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Duke iu referuar këtij narracioni autori ndërton një varg të arsyetimeve: disa politikan ndalohen të klaojnë në vijën kufitare Dheu i Bardhë me Serbinë, disa imam lejohen të hyjnë në Serbi dhe të vizitojnë Preshevën, disa nga ata kanë shprehur qëndrime të diskutueshme për Amerikën, prandaj këta imamë janë të rrezikshëm për Kosovën. Që në fillim të postimit autori nxjerrë konkluzonin: se veprimtaria e këtyre imamëve është pjesë e agjenturave të shërbimeve sekrete serbe! Konstruksioni ideor ndërtohet mbi premisën se politikanëve kosovar i refuzohet hyrja në Luginë të Preshevës ndërsa imamëve jo! Një konstatim i përsëritur te një pjesë e medias shqiptare e cila e shikon përkatësin identitare islame të shqiptarëve të rrezikshme për sigurinë kombëtare! Kështu identieti islam i pjesës shumicë të popullatës shqiptare debatizohet në nivele të sigurisë nacionale shtetërore. Lehtë mund të verifikohet se konkluzionet e paraqitura nuk dalin nga premisat e shtruara. Refuzimi i hyrjes së politikanëve në të shumtën e rasteve zbatohet për masa reciprociteti, kryesisht, për motive politike. Përndryshe një ditë pas këtij postimi kryetari i Komunës së Gjilanit vizitoi Preshevën dhe Bujanocin. Nuk mund të jetë argument nëse një person që kalon kufirin ai është bashkëpunëtor i shërbimeve serbe. Gjithashtu, kushdo që shpreh një qëndrim politik të dsikutueshëm qoftë edhe imam jo domosdoshmërisht konsiderohet ekstremist i dhunshëm. Ajo që mund të vërejmë në shtrirjen e argumentimit të tekstit është fakti se ai fillon nga disa individë konkret, gradualisht tonaliteti i kritkës zhvendoset drejt një kategorie më të gjerë të imamëve, Bashkësisë Islame, duke aluduar edhe shoqërinë në përgjithësi. Është e çuditshme se në kuadër të këtij konstatimi përgjithësues nuk kursehet as BIK – u. Roli i BIK –ut në shoqërinë kosovare është i provuar se qëndron prapa çdo lëvizje të rëndësishme si para, gjatë dhe pas luftës si një faktorë i rëndëssihëm në ndërtimin e shtetit të Kosovës, forcimit të sovranitetit shtetëror dhe stabilitetit politik. Nëse analizohen paraqitjet publike të BIK – ut, dhe kreut të saj Myftiut z. Naim ef. Tërnava do të vërejmë se qasja kryesore ka qenë e fokusuar në ruajtjen e identitetit islam, në proceset integruese europiane dhe komunikimin e përshtatshëm me vlerat sekulare dhe laike të shoqërisë, në unitet të plotë me identitetin nacional shqiptar. Bashkësia Islame e Kosovës, është autoriteti më i lartë fetar në Kosovë që ruan vazhdimësinë historike të interepretimit të fesë. Ky institucion ka rol të rëndësishëm në kujdesin për fetarinë e rëndomt dhe rregullimin e marrëdhënieve shoqërore. Aktiviteti i saj përcjell vlerat e besimit islam përmes një diskursi fetar të artikuluar nga ligjërimet, programet edukative dhe ndihmave humanitare. Kjo formë e argumentimit në qasjen e Analizës Kritike të Diskursit njihet si një proces i ndërtimit të kategorive kolektive, ku veprimet ose deklaratat e individëve shërbejnë për të nxitur dyshime ndaj kolektivitetit të tërë.
Legjitimimi përmes autoritetit të supozuar
Në tekst përdoren shprehje si: “Kosova është në rrezik”, “Fashistët e rrezikut islamist”, “Propagand toksike”, “Institucionet janë në gjumë të thellë”. Në gjuhën diskursive këto shprehje krijojnë një ambient rreziku dhe frike. Kjo është gjuhë mobilizuese e cila nxitë reagime emocionale, e cila e shtynë lexuesin të reagojë emocionalisht para se të analizojë provat. Fairloghu në analizën e tij këtë lloj diskursi mediatik e shikon si mënyrë për ndërtimn e realitetit shoqëror përmes gjuhës. Një konstatim tjetër në postimin e autorit është pretendimi se autoritetet shtetërore të institucioneve të Kosovës posedojnë dëshmi konkrete të këtyre “imamëve të rrezikshëm”. Për të dëshmuar këtë të vërtetë duhet autori të paraqet dëshmi, burime institucionale apo vendime gjyqësore. Premisat janë të ndërtuara mbi bazën e pretendimeve dhe supozimeve. Nëse këtë lloj argumentimi diksursiv e shikojmë sipas analizës kontekstuale, tekstuale dhe intertekstuale të autores Julia Kristeva leht mund të verifikohet dallimi i rëndësishëm në mes asaj që autori pretendon se e di, asaj që dokumentohet dhe asaj që është e dokumentuar nga instiucionet. Në Analizën Kritike të Diskursit kjo ndryshe njihet edhe si tendencë për legjtimimin e pretendimeve përmes atuoritetit të supozuar. Në opinionin publik shqiptar ato që njihen si mainstream media identitetin islam të shqiptarit gjithnjë e më shum e debatizojnë si problem të sigurisë, ekstremizmit, radikalizmit etj. Pretendimet e këtilla synojnë të dëshmojnë mbrojtjen e Kosovës nga qëndrimet ekstreme dhe radikale. Nuk është problem kritika ndaj fenomenit, sa është mënyra e ndërtimit të kësaj kritike e cila nuk kursehet nga etiketimet përgjithësuese që shkakton një formë tjetër të përjashtimit, izolimit, linçimit, mbi bazën e stigmatizimit dhe gjykimeve setereotipe, në këtë rast identitetin fetar islam shumicë të popullatës. Ndryshe kjo njihet edhe si orientalizëm i brendshëm parë nga këndvështrimi i teorisë mbi orientalizmin të Edward Saidit. Kritika ndaj ekstremizmit fetar është legjitime dhe domosdoshme. Gjithashtu edhe stigmatizimi i imamëve, institucioneve fetare apo myslimanëve përmes përgjithësimeve është i papranueshëm.
Përkatësia identitare në shërbim të orientimit gjeostrategjik
Diskursi publik zyrtar lind si rezultat i shkëmbimeve të informacionit dhe komunikimit të sistemuar i cili ka rol kyç në formimin e ndërgjegjës kolektive, legjitmimin e vendimeve politike, si dhe ndërtimin e normave shoqërore. Sipas Habermasit sfera publike është hapësirë në të cilën çdo qytetar përfshihet në debatin kritik racional në shërbim të interesave të përbashkëta të komunitetit. Në shoqërinë shqiptare ka tendencë që të prodhohet një diskurs që legjitimon dhe riprodhon marrëdhënie me pushtetin, ideologjinë dhe dominimin kulturor. Ky lloj diskursi përkatësinë identitare islame e problematizon në kontest të orientimeve kulturore dhe gjeostrategjike, duke e lidhur me integrimet europiane. Qasja e cila e shikon Islamin si “ kultur e kontrabanduar me pasaport shqiptare” , apo “aksident disfatist”, brenda identitetit kuturor të shqiptarit, që nuk e përcjell rrjedhën e logjikshme drejt integrimeve europiane. Është e qartë se kjo tendencë synon të fitojë legjitimitet në opinionin publik përmes ndikimit institucional, kulturor dhe mediatik. Përmes këtij ndikimi, disa vlera dhe modele të kulturës perëndimore paraqiten si standarde universale të qytetërimit dhe modernitetit, ndërsa përbërësit e tjerë kulturor e identitar, në këtë rast ata të traditës islame, trajtohen si të papërshtatshëm me këto standarde. Në këtë mënyrë, kultura perëndimore jo vetëm që idealizohet, por edhe shndërrohet në një kriter për vlerësimin dhe pranimin e identiteteve të tjera kulturore. Kjo lloj apologjie oksedentale rrezikon të përjashtojë çdo përbërës tjetër kulturor e identitar që nuk përputhet me këtë pikëpamje. Janë tri qasje teorike që e dekonstruktojnë këtë qasje homogjenizuese në opinionin publik. Hegjemonia diskursive është një koncept që analizon qëndrimet e një grupi ose ideologji të caktuar e cila i referohet një interpetimi dominues në shoqëri. Kjo nuk nënkupton imponimin me forcë të një modeli të caktuar kulturor për shoqërinë, por krijimi i një konsensusi shoqëror rreth një mënyre të caktuar të menduarit. Natyralizimi ideologjik është një tjetër koncept i cili e analizon një ide, bindje, apo proces që promovohet brenda një konstrukti ideologjik i cili shndrrohet në një të vërtetë objektive natyrore. Këtu nuk merret parasysh se kjo e vërtetë është produkt i rrethanave historike dhe shoqërore. Në këtë rast identieti religjioz islam përballë atij perëndimor shikohet i dëmshëm për modernitetin. Kolonializmi kulturor është një koncept i cili ka për qëllim që një sistem vlerash apo modele dominuese t’ia imponoj kulturave tjera mënyrat e veta të menduarit. Ky lloj diskursi promovohet përmes arsimit, medias, gjuhës, përfaqësimit kuluror etj. Kjo qasje synon që modelet perëndimore në diskursin publik shqiptar t’i paraqes si standard universal i qytetërimit, ndërsa zakonet dhe përbërësit kulutor të traditave tjera në këte rast të islamit të paraqiten të prapambetura dhe të papërshtatshme me idetë progresiste moderne. Duhet theksuar se këto qasje mund të përfundojnë në islamofobi nuk janë formulime standarde akademike dhe zyrtare institucionale. Ato jane terminologji që operojnë në diskursin publik. Qëllimi i tyre nuk është vetëm kuptimi i gjuhës përshkruese dhe interpretative por edhe lidhja kontekstuale me realitetin për të fituar betejën për legjitimitet politik dhe mobilizim të pushtetit. Kjo qasje diskursive kalon në rrezik, nëse nga niveli dikursiv gjuha islamofobike kalon në nivel institucional. Ne duhet të ndërtojmë një stadard të barabart për të gjithë. Nuk kemi pse bëhemi as apologjetë të ekstremizmit fetar, as të prodhojmë mendësi stigmatizuese ndaj islamit. Ne kemi nevoj për apologji ndaj të vërtetës që siguron standrade për drejtësi dhe barazi për të gjithë.
Shqiptarët e Luginës dhe identiteti nacional
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, instiucionet politike, fetare, shoqëria civile, duhet të ndërtojmë një konsenzus të gjerë politk i cili do të angazhohej për materializimin e të drejtave politike dhe kombëtare. Këto synime i kemi artikuluar duke qëndruar prapa çdo konsenzusi shoqëror që i ka kontribur kësaj ndërrmarje politike nga referendumi, lufta e UÇPMB – së, dokumentave, platfromave politike që i kanë shërbyer këtij qëllimi. Si institucion Bashkësia Islame është kujdesur që ta ruajme identitetin islam si vazhdimësi historike e kulturore. Islamin si kategori sociale përvç përdorimit për nevoja shpirtërore e kemi interpretuar si narracion për ndërtim të identitetik kolektiv nacional. Ne përpjekjet e vazhdueshme për t’u zhvilluar si identitet kombëtar në kontekstin e legjtimimit dhe dallimit nga tjetri përmes hapësirës publike, xhaminë dhe shenjtëritë fetare i kemi vendosur edhe në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar. Në këtë drejtim do të ishte mirë të realizohet një studim shkencor krahasues mes dy bashkësive shqiptare që kanë pasur përvoja të ndryshme historike, fetare dhe politike. Komuniteti shqiptar i Luginës së Preshevës dhe komuniteti shqiptar ortodoks i Shqipërisë së Jugut. Dy komunitetet janë përballur me tendencat asimiluese nga faktorë politikë, socialë, klturorë. Shqiptarët e Jugut të Shqipërisë përballë nacionalizmit grek i i suportuar nga helenizmi ekumenik i cili e përdor përkatsinë religjioze ortodokse shqiptare të ngjashme me grekët në shërbim të asimilimit dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës përballë nacionalizmit qytetar serb. Në rastin e parë si është përdor ortodoksia për të rikonfiguruar përkatsinë kombëtare në Jug të Shqipërisë dhe si ka ndikuar përkatësia identitare islame e shqiptarëve të Luginës për t’i rezistuar përpjekjeve ideologjike dhe kulturore të nacionalizmit qytetar serb për asimilim. Në Luginë të Preshevës, përkatësia etnike shqiptare për shkak të gjuhës dhe ajo religjioze për shkak të fesë kanë ndikuar që të ndërtohen kufijt ndarës në mes “ne” dhe “ata”. Çdo përpjekje për ta devijuar këtë qëndrim në drejtim të agjendave tjera ideologjike, që identitetin islam e vendosin në fokus të kërcënimit të sigurisë publike, është një nagrkesë e rrezikshme për ambientin politik, kulturor e fetar të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne jemi munduar që në Luginë të Preshevës agjenda e të drejtave politike dhe nacionale si pakicë kombëtare të jete prezente në çdo debat, forum apo institucione ndërkombëtare që kujdesen për monitorimin e të drejtave të pakicave. Fokus mbeten të drejtat nacionale. Të drejtat fetare, identiteti fetar nuk ka qenë objekt diskutimi.
(Autori është Kryetar i Bashkësisë Islame në Preshevë – Këshilli Bashkësisë Islame të Kosovës)
