Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gaza, vriten 4 palestinezë në sulmet izraelite ndërsa 22 të tjerë plagosen

Gaza, vriten 4 palestinezë në sulmet izraelite ndërsa 22 të tjerë plagosen

Katër palestinezë u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga mëngjesi i sotëm, mes shkeljeve të përditshme të marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga 10 tetori 2025, transmeton Anadolu.

Në zhvillimet e fundit, dy palestinezë u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në një sulm izraelit që shënjestroi një automjet në zonën Al-Mawasi, në perëndim të Khan Younisit në jug të Gazës, thanë burime mjekësore për Anadolu.

Ushtria izraelite gjithashtu shënjestroi një automjet të dytë pranë kryqëzimit Al-Matahin, në veri të Khan Younisit, ku nuk u raportuan të plagosur, thanë dëshmitarë okularë për Anadolu.

Në mëngjes, ushtria izraelite goditi një shtëpi që i përkiste familjes Doghmush në lagjen Tel al-Hawa, në jug të qytetit të Gazës, duke vrarë një burrë palestinez dhe bashkëshorten e tij dhe duke plagosur gjashtë të tjerë, sipas burimeve mjekësore.

Në shtëpinë e goditur shpërtheu zjarr pas sulmit, i cili më vonë u shua nga ekipet e mbrojtjes civile dhe banorët, thanë dëshmitarët. Shkeljet e marrëveshjes së armëpushimit nga Izraeli kanë vrarë 1.066 palestinezë dhe kanë plagosur 3.445 të tjerë deri të dielën, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza më 8 tetor 2023, janë vrarë më shumë se 73 mijë palestinezë dhe janë plagosur mbi 173 mijë të tjerë, përveç shkatërrimit të gjerë që ka prekur 90 për qind të infrastrukturës civile.

Exit mobile version