Liderët e Gjermanisë dhe Finlandës kanë bërë thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit, për të lejuar ndihmat humanitare të hyjnë menjëherë në Gazë, ndërsa civilët atje përballen me mungesë ekstreme ushqimi dhe ilaçesh.
“Kemi nevojë të ushtrojmë presion ndaj Izraelit për të siguruar që ndihmat të arrijnë realisht tek ata që kanë nevojë,” tha kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë një vizite në Helsinki, duke e cilësuar vuajtjen në Gaza si “e tepruar” dhe duke kërkuar veprim të menjëhershëm.
“Por është gjithashtu thelbësore që edhe Hamasi të mos pengojë ardhjen e ndihmave humanitare,” shtoi Merz, një ditë pasi kritikoi ashpër Izraelin në një forum të organizuar nga televizioni WDR.
“Nuk e kuptoj më se çfarë po bën ushtria izraelite në Gaza, dhe me çfarë qëllimi,” tha ai, duke shtuar se ndikimi ndaj civilëve në Gaza “nuk mund të justifikohet më”.
Kryeministri finlandez Petteri Orpo i dha mbështetje deklaratës së Merz-it, duke e quajtur situatën në Gaza “një katastrofë të tmerrshme humanitare” që kërkon reagim të shpejtë ndërkombëtar.
Ndërkohë, Suedia ka thirrur ambasadorin izraelit në vend, duke i kërkuar Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.
“Mënyra se si po zhvillohet aktualisht lufta është e papranueshme,” tha Ministria e Jashtme suedeze në një deklaratë, duke theksuar gjithashtu të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
