Ballina Artikuj Gjuha arabe gjuhë e mishëruar për Islamin

Gjuha arabe gjuhë e mishëruar për Islamin

Prof. Driton Arifi

(Jo) Ligjshmëria e përdorimit të shprehjeve joarabe gjatë kryerjes së namazit

Është prej specifikave të njohura se gjuha arabe zë një vend të veçantë në kulturën dhe qytetërimin islam. Ajo është gjuha nëpërmjet së cilës Allahu i Lartmadhërishëm përcolli mesazhin e fundit hyjnor drejtuar njerëzimit. Ajo është gjuha origjinale dhe e kulluar, të cilën e foli bartësi i misionit të fundit pejgamberik-Muhamedi a.s.. Me këtë gjuhë e komunikoi dhe e transmetoi i Dërguari i Allahut porosinë e Zotit tek njerëzimi mbarë. Allahu i Lartmadhëruar këtë fakt e qartësoi në shumë versete kur’anore. Ai në njërin prej tyre na drejtohet e na thotë:” Ne dimë shumë mirë se ata thonë: “Atë (Muhamedin) është duke e mësuar një njeri!” Mirëpo, gjuha e atij nga i cili anojnë (supozojnë) ata, është joarabe (e paqartë), e kjo (e Kur’anit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë”. (En-Nahl,103). Pastaj, në mënyrë edhe më të drejtpërdrejt, Allahu e vuri në spikamë faktin se Kur’ani ka zbritur në gjuhën arabe, sepse kjo është e vetmja gjuhë që garanton dhe i mundëson njerëzimit mbarë ta kuptojë mesazhin e Zotit në të gjitha kohët deri në Ditën e Kiametit. Allahu në një ajet kërkon të jemi vigjilentë rreth kësaj çështjeje, duke na thënë:” Elif, Lam, Ra. Këto (ajete që të zbritën) janë ajetet e librit të qartë. Ne e zbritëm atë Kur’an arabisht, në mënyrë që ta kuptoni”. (Jusuf, 1-3). sikur Zoti dëshiron të na thotë në këto versete se zbritja e Kur’anit në çfarëdo gjuhe tjetër do të mund të krijonte një boshllëk dhe shkëputje në të kuptuarit e porosisë së Tij nga ana e njerëzve , në çfarëdo periudhe kohore, një dukuri kjo që do të binte ndesh qartazi me dëshirën dhe synimin e zbritjes së Librit hyjnor nga ana e Allahut të Lartmadhërishëm.Nisur nga këto ajete dhe faktet e lartpërmendura, Umeri r.a. i porosiste myslimanët mbarë duke thënë:”Thellohuni në kuptimin e porosive të Muhamedit a.s.- Synetit të tij , por kuptojeni rrënjësisht dhe shqiptojeni rrjedhshëm gjuhën arabe, sepse Kur’ani ka zbritur në këtë gjuhë”.

Namazi si shtyllë e adhurimeve islame të bëhet në gjuhën arabe

Duke pasur parasysh këtë mishërim kaq të fuqishëm në mes Islamit dhe gjuhës arabe si dhe këtë ndërlidhshmëri të pashkëputshme në mes tyre, myslimanët obligohen që shtyllën e ibadeteve të tyre-namazin, ta kryejnë në këtë gjuhë. Meqë Muhamedi a.s., ishte ai që u ngarkua nga ana e Allahut për t’ia mësuar Ymetit islam mënyrën e kryerjes së namazit, rrjedhimisht e kuptojmë se ai këtë ua mësoi ta kryejnë në gjuhën arabe, në gjuhën e vetme të cilën e dinte ai thellësisht. Transmeton Malik ibn Huvejrith se i Dërguari i Allahut kishte thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur”.(1) Kjo që u theksua në hadith, është prej argumenteve të fuqishme se namazi duhet të kryhet në gjuhën në të cilën ka zbritur Kur’ani, meqë leximi i një pjese të tij është farz-rukn, i obligueshëm, brenda në namaz.

Megjithëkëtë, që nga norma e “tekbirit fillestar” pastaj “Leximi i Kur’anit” , lutjet si dhe dhikret e tjera, që rekomandohet të bëhen gjatë namazit, kanë qenë tema që janë diskutuar gjatë nga juristët islamë-fukahatë, nëse lejohet apo jo të bëhen në ndonjë gjuhë tjetër përveç gjuhës arabe?

Me çfarë gjuhe të fillojmë namazin?!

Thënia e “tekbirit fillestar-Allahu Ekber” në fillim të namazit në çfarëdo gjuhe tjetër përveç arabishtes, konsiderohet e paligjshme sipas shumicës absolute të juristëve, me përjashtim të Imam Ebu Hanifes, i cili mendonte se ai lejohet të bëhet edhe në ndonjë gjuhë tjetër përveç asaj arabe, edhe nëse falësi i namazit mund ta bëjë në gjuhën arabe. Megjithatë, një gjë të tillë ai e konsideronte të papëlqyer. Nga ky mendim, sipas shumicës së nxënësve të shkollës së tij, thuhet se nga fundi i jetës së tij Imam Ebu Hanife është tërhequr dhe ka shprehur mendimin se shqiptimi i tekbirit në cilëndo gjuhë përveç arabishtes, nuk lejohet në fillim të namazit dhe, rrjedhimisht, e prish atë.(2) Ndërkaq, dijetarët e medhhebeve të tjera Imam Shafiu , Ahmedi dhe Maliku, madje edhe dy nxënësit e Ebu Hanifes – Imam Ebu Jusufi dhe Muhamed bin Hasen Esh-Shejbani, mendojnë se nuk lejohet shqiptimi i tekbirit fillestar të bëhet në asnjë gjuhë tjetër përveç në gjuhën arabe nëse personi ka mundësi ta bëjë këtë në gjuhën arabe, po, nëse nuk ka mundësi ta bëjë në gjuhën arabe dhe frikësohet se po i kalon koha, atij i lejohet ta bëjë këtë edhe në gjuhën e tij amtare.(3)

A lejohet leximi i Kur’anit në ndonjë gjuhë tjetër gjatë namazit

Leximi i Kur’anit po ashtu është kusht të bëhet në gjuhën arabe dhe nuk lejohet të lexohet pjesë nga cilido përkthim në çfarëdo gjuhe. Kjo sipas mendimit të shumicës absolute të dijetarëve, mirëpo sipas një mendimi të Imam Ebu Hanifes lejohet të bëhet leximi edhe në ndonjë gjuhë tjetër gjatë namazit. Ndërsa nxënësit e shkollës hanefite duke interpretuar mendimin e tij kanë thënë se ai e konsideronte kësisoj vetëm në rast se namazliu nuk di asgjë nga gjuha arabe dhe rrezikohet t’i kalojë koha e namazit. Në këtë rast atij i lejohet ta falë namazin edhe nëse lexon ndonjë pjesë të Kur’anit – respektivisht El Fatihanë, të përkthyer në gjuhën e tij – joarabe. Këtë mendim e përkrahin edhe një numër jo i vogël i dijetarëve të shkollave të tjera juridike.

Megjithëkëtë, në këtë situatë më së miri është të ndalemi në atë që na ka mësuar i Dërguari i Allahut, dhe të veprojmë në përputhje me sugjerimet e tij. Transmeton Abdullah ibn Ebi Evfa se një njeri kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut dhe i kishte thënë atij: “O i Dërguar i Allahut, unë s’kam mundësi të mbaj mend asgjë nga Kur’ani, prandaj ma mëso atë që më mjafton në namazin tim. Muhamedi a.s. iu përgjigj: “Thuaj (Subhanallahi vel-hamdu lilahi, ve la ilahe il-lallahi, vallahu ekber, ve la havle ve la kuv-vete il-la bil-lah).(4) Pra, kjo këshillë e dhënë për këtë beduin-arab, që s’mund të mësonte asgjë nga Kur’ani, është zgjidhje profetike për secilin që gjendet në një situatë të tillë, që s’mund të mësojë asgjë nga Kur’ani, dhe, nëse s’mund ta bëjë as këtë, atëherë le të thotë aq sa të ketë mundësi prej këtyre shprehjeve, kurse leximi i Kur’anit në një gjuhë tjetër përveç asaj arabe, le të mbetet alternativa e fundit për të.

A bënë të lutemi në gjuhën tonë brenda namazit

Ndërkaq, për faktin nëse mund të bëhet duaja-lutja gjatë namazit në një gjuhë joarabe, dijetarët e medh’hebit hanefit mendojnë se një gjë e tillë është e urrejtur e ka të tillë që e konsiderojnë se e bën të pavlefshëm namazin në tërësi, sidomos nëse ajo dua nuk është citim i ndonjë ajeti ose nuk është e transmetuar në ndonjë hadith të Muhamedit a.s., respektivisht është lutje të cilën e shpik namazliu nga vetvetja e tij gjatë faljes së namazit. Por, disa nga dijetarët e tri medhhebeve të tjera, shfaqen paksa më tolerantë në rast se duaja është pjesë e ndonjë ajeti ose është transmetuar në ndonjë hadith të saktë të Muhamedit a.s. dhe e lejojnë një gjë të tillë së paku gjatë namazeve synete-nafile, ndërsa imam Ahmedi, kur është pyetur për këtë çështje, ka sinjalizuar se është e urrejtur dhe e padëshirueshme, sidomos nëse ka mundësi të bëhet në gjuhën arabe.(5)

Për fund, e lusim Allahun e Lartmadhërishëm që t’ua lehtësojë myslimanëve mësimin dhe mbajtjen në mend të ajeteve kur’anore ashtu siç edhe ka garantuar në librin e Tij, duke thënë:” Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim”. (El-Kamer,17).

_____________________

(1) Sahihul- Buhari Hadithi nr: 7246 dhe 6008.

(2) Bedaius sanai’, El-Kasani El-Hanefij.(529/2).Bot. I parë. Darul-kutub elilmijje.Bejrut.1997

(3) E l-mugnii, Ibni Kudame (129/2). Bot.6. Darul- Alemil-kutub.Rrijad. 2007

(4) Hadithin e transmeton Ahmedi , Ebu Davudi, dhe Nesaiu ndërsa e kanë konsideruar si të sakt Hakimi, Daru Kutniju etj

(5) Iktidaus-siratul mustekiim. Ibn Tejmijje. f.216. Daru Nizar Mustafa El-Baz. Mek-ke Mukerr-rreme, bot. 2. 2004

Exit mobile version