Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjykata izraelite nis shqyrtimin e peticionit për shkarkimin e ministrit të ekstremit...

Gjykata izraelite nis shqyrtimin e peticionit për shkarkimin e ministrit të ekstremit të djathtë Ben-Gvir

Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Izrael ka nisur shqyrtimin e një peticioni që kërkon shkarkimin e ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për shkak të akuzave për ndërhyrje në policinë izraelite.

Sipas korrespondentit të Anadolu-t, mes shqetësimeve për ndërprerje të mundshme brenda sallës së gjyqit, gjyqtarët vendosën ta zhvillojnë seancën pa praninë e publikut ndërsa procedurat po transmetohen drejtpërdrejt.

Para nisjes së seancës, dhjetëra mbështetës të ministrit Ben-Gvir u mblodhën jashtë ndërtesës së gjykatës, duke mbajtur pankarta me mbishkrime “Është koha t’i themi Gjykatës së Lartë: Mjaft” dhe “Fund diktaturës gjyqësore”.

Sipas “The Times of Israel”, ministri i Drejtësisë i Izraelit, Yarin Levin, nga ana e tij, tha se qeveria nuk do të respektojë asnjë vendim të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë që urdhëron shkarkimin e ministrit Ben-Gvir.

Sipas gazetës izraelite, parashtruesit e peticionit kërkojnë të detyrojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu që ta shkarkojë ministrin Ben-Gvir për shkak të akuzave për “ndërhyrje të përsëritura dhe të paligjshme në çështje operative të policisë, politizim të emërimeve në polici dhe ndërhyrje të hapur në hetimet policore”.

Exit mobile version