Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjykata Kushtetuese mban seancë për çështjen ndaj zv.kryeministres Balluku

Gjykata Kushtetuese mban seancë për çështjen ndaj zv.kryeministres Balluku

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka mbajtur seancë për çështjen ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, transmeton Anadolu.

Qeveria e Shqipërisë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të Ballukut.

Në seancën e sotme palët paraqitën pretendimet e tyre, ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka konifrmuar se vendimi për çështjen në fjalë do të komunikohet në ditët në vazhdim.

Qeveria e Shqipërisë kërkon shfuqizimi i vendimit të GJKKO-së për masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës së Ballukut dhe zgjidhjen e “mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë vendimi i pezullimit është “një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

– Çështja ndaj Ballukut

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Sipas autoriteteve ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Çështja u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO-së.

Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj saj.

Exit mobile version