Ballina Arritje Teknologji Google sërish dënohet me gati 500 milionë euro

Google sërish dënohet me gati 500 milionë euro

Google është urdhëruar t’i paguajë portalit gjerman Idealo, që merret me krahasimin e çmimeve, rreth 465 milionë euro kompensim për shkelje të rregullave antimonopol, sipas një vendimi të gjykatës në Berlin.

Idealo, e cila është në pronësi kryesisht të grupit mediatik “Axel Springer”, pretendon se Google ka keqpërdorur pozicionin e tij dominues si motor kërkimi.

Raportohet që Google favorizonte ofertat e veta në rezultatet e kërkimit, ndërkohë që konkurrencën e vendoste në pozitë më pak të favorshme.

Idealo kërkonte në fakt shumë më shumë – rreth 3,5 miliardë euro, me përfshirje të kamatave.

Përveç Idealo, edhe platforma gjermane Producto / Testberichte.de ka fituar ndaj Google – gjykata ka vlerësuar dëm prej 107 milionë euro për këtë rast.

Vendimet nuk janë përfundimtare – ekziston mundësia e apelit te Gjykata e Apelit në Berlin.

Kërkesa antitrust është e lidhur me dënimin e mëparshëm që Google mori nga Komisioni Evropian në 2017 për praktikë të ngjashme të favorizimit.

Exit mobile version