Google është urdhëruar t’i paguajë portalit gjerman Idealo, që merret me krahasimin e çmimeve, rreth 465 milionë euro kompensim për shkelje të rregullave antimonopol, sipas një vendimi të gjykatës në Berlin.
Idealo, e cila është në pronësi kryesisht të grupit mediatik “Axel Springer”, pretendon se Google ka keqpërdorur pozicionin e tij dominues si motor kërkimi.
Raportohet që Google favorizonte ofertat e veta në rezultatet e kërkimit, ndërkohë që konkurrencën e vendoste në pozitë më pak të favorshme.
Idealo kërkonte në fakt shumë më shumë – rreth 3,5 miliardë euro, me përfshirje të kamatave.
Përveç Idealo, edhe platforma gjermane Producto / Testberichte.de ka fituar ndaj Google – gjykata ka vlerësuar dëm prej 107 milionë euro për këtë rast.
Vendimet nuk janë përfundimtare – ekziston mundësia e apelit te Gjykata e Apelit në Berlin.
Kërkesa antitrust është e lidhur me dënimin e mëparshëm që Google mori nga Komisioni Evropian në 2017 për praktikë të ngjashme të favorizimit.








