Një grup hakerash iranian pretendoi të enjten se ka hyrë në telefonin e ish-shefit të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi dhe se ka marrë mijëra imazhe dhe video të ndjeshme nga brenda strukturës së lartë komanduese të Izraelit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të internetit, grupi i njohur si Handala tha se ka mbajtur akses të fshehtë në pajisjen e Halevi-t për vite me radhë.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, më shumë se 19.000 imazhe dhe video konfidenciale nga takimet më sekrete të Halevi-t janë nxjerrë dhe arkivuar” njoftohet në deklaratë.
Grupi pretendon se materiali përfshin imazhe të komandantëve të lartë, objekteve operative, hartave dhe diskutimeve të brendshme, duke pohuar se të dhënat do të publikohen gradualisht.
“Çdo fytyrë, çdo komandant dhe çdo pilot kriminel, i qartë dhe i paturbullt, janë në duart tona dhe do të zbulohen një nga një kur të vijë koha e duhur,” tha ai.
Grupi gjithashtu pretendoi se ka akses te komandantët e lartë izraelitë.
“Çdo moment, çdo vendim, çdo bisedë po vëzhgohet; vetëm koha për t’i ekspozuar ata nuk ka ardhur ende,” tha ai.
Handala shtoi se një video tregon Halevin “të kapur të fshehur nën një tavolinë, duke u përpjekur të trembë gruan e tij — dhe dështoi edhe në këtë”.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm izraelit mbi raportin.
