Ballina Lajmet Guterres thirrje Izraelit dhe Hamasit të tërhiqen nga “pragu i një konflikti...

Guterres thirrje Izraelit dhe Hamasit të tërhiqen nga “pragu i një konflikti shkatërrues”

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, duke folur për rritjen e tensioneve midis Izraelit dhe Palestinës, tha se të gjitha palët duhet tërhiqen nga “pragu i një konflikti tjetër shkatërrues”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guterres në një deklaratë me shkrim ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e rrezikshëm të dhunës dhe tensioneve në Gaza dhe në Izraelin jugor, si dhe për humbjet e ndodhura.

Duke i bërë thirrje Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze t’i japin fund hedhjes së raketave dhe provokimeve të tjera në kufi, si dhe Izraelit të shfaqë vetëpërmbajtje maksimale për t’u distancuar nga nxitjet e mëtejshme, Guterres tha se “Të gjitha palët duhet të hedhin hap prapa për t’u tërhequr nga pragu i një konflikti tjetër shkatërrues”.

Guterres u ka bërë thirrje palëve të punojnë me OKB-në dhe Koordinatorin e Posaçëm të OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme Nickolay Mladenov për t’i dhënë fund kësaj situate të rrezikshme.

“Përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve do të rrezikojë jetën e palestinezëve dhe izraelitëve, do të thellojë katastrofën humanitare në Gaza dhe do të minojë përmirësimin e kushteve jetësore dhe përpjekjet për të mbështetur kthimin e autoritetit palestinez në Gaza”, ka shtuar shefi i OKB-së.

Ndryshe, duke pretenduar se është hapur zjarr ndaj ushtarëve izraelitë në kufi, Izraeli të premten pasdite sulmoi Gazën me avionë luftarakë dhe tanke, ku si pasojë jetën humbën katër palestinezë. Po ashtu, edhe ushtria izraelite ka thënë se si pasojë e një zjarri të hapur nga kufiri i Gazës ka humbur jetën një ushtar izraelit.

Në protestat palestineze paqësore nën moton “Marshi i kthimit të madh” të cilat vazhdojnë që nga 30 marsi në kufirin e Gazës, mbi 140 palestinezë kanë rënë dëshmorë si pasojë e sulmeve të ushtarëve izraelitë.

Exit mobile version