Kur lindi Ismaili (paqja qoftë mbi të), Ibrahimi (paqja qoftë mbi të) ishte 86 vjeç. Ai e deshi shumë djalin e tij dhe u gëzua për lindjen e tij. Por pas disa kohësh, erdhi një sprovë e madhe:
Allahu i urdhëroi Ibrahimin që të merrte të birin e tij, Ismailin, dhe gruan e tij, Haxheren, dhe t’i çonte në një vend të largët. Ai i dërgoi në gadishullin Arabik, derisa arritën në Mekë, e cila në atë kohë ishte një shkretëtirë e zbrazët, një luginë midis maleve
Ibrahimi (paqja qoftë mbi të) e la gruan dhe djalin e tij të vetëm dhe u nis për të ikur. Haxherja e habitur filloi të thërriste pas tij, duke e pyetur pse po largohej, por ai nuk iu përgjigj. Atëherë ajo e pyeti:
“A të ka urdhëruar Allahu për këtë?”
Ai u përgjigj: “Po.”
Atëherë ajo tha: “Nëse është kështu, atëherë Allahu nuk do të na lërë të humbur.”
Dorëzimi i plotë ndaj urdhrave të Allahut
Islami është të dorëzohesh plotësisht ndaj urdhrave dhe ndalimeve të Allahut pa kundërshtim. Nëse i bindemi plotësisht urdhrave të Allahut dhe ndjekim rrugën e Tij, Ai nuk do të na lërë të humbur. Humbja vjen vetëm kur largohemi nga udhëzimi i Allahut. Lavdia, nderi dhe e ardhmja jonë janë të lidhura me ndjekjen e rrugës së Allahut. Me udhëzimin e Tij, nuk ka frikë nga varfëria, uria apo prapambetja dhe nuk ka nevojë të frikësohemi as nga Lindja, as nga Perëndimi.
Haxherja qëndroi në atë vend të shkretë me të birin e saj. Pas disa ditësh, ushqimi dhe uji përfunduan, dhe Ismaili filloi të qante nga etja. E dëshpëruar, ajo nisi të vraponte për të kërkuar ujë. Së pari, u ngjit mbi kodrën më të afërt, Safan, por nuk pa asgjë. Pastaj vrapoi drejt kodrës tjetër, Mervës, dhe sërish nuk gjeti asgjë. Ajo vazhdoi të lëvizte mes dy kodrave, duke përsëritur këtë rrugëtim shtatë herë.
Kjo përpjekje e saj u përjetësua nga Allahu si një rit i përhershëm i fesë islame. Vrapimi mes Safas dhe Mervës është një nga shtyllat e Haxhit dhe Umres, dhe është një kujtim i përpjekjes së një gruaje e cila u mbështet tek Allahu dhe veproi pa u ankuar për caktimin e Tij.
Islami e përjetëson kujtimin e Haxheres
Më thoni, cila fe? Cili besim? Cila shoqëri në këtë botë e ka përjetësuar kujtimin e një gruaje siç e ka bërë Islami? Allahu e bëri pjesë të fesë tonë që të ecim ashtu siç eci ajo, të vrapojmë ashtu siç vrapoi ajo dhe të ndjekim hapat e saj. Islami e nderoi gruan jo duke e shfaqur në kopertinat e revistave, por duke e bërë veprimin e saj një adhurim që i kryhet Allahut të Madhëruar.
Burimi i Zemzemit
Për ta shpëtuar Haxheren dhe Ismailin, Allahu dërgoi shpëtimin nëpërmjet engjëllit më të madh, Xhibrilit, i cili hapi një burim uji – Ujin e Zemzemit.
“Zemzem, Zemzem!”
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë:
“Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur ta kishte lënë burimin të rridhte, ai do të ishte kthyer në një lumë që rrjedh.”
Kjo histori është një dëshmi e forcës së besimit, përpjekjes dhe durimit. Allahu nuk i lë kurrë të humbur ata që mbështeten tek Ai dhe ndjekin rrugën e Tij.
Hoxhë Halil Avdulli
