Ballina Lajmet Kosovë Haxhiu: Hetuesia nuk po e zbardh por po e ndërton rastin Dehari

Haxhiu: Hetuesia nuk po e zbardh por po e ndërton rastin Dehari

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha sot se publikimi i pamjeve të kamerave nga burgu i Prizrenit ditën që vdiq aktivisti Astrit Dehari janë të papranueshme për Vetëvendosjen dhe familjen Dehari.

Haxhiu në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se hetimet për vdekjen e Deharit janë duke u administruar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Sipas saj, pamjet që janë publikuar mbrëmë në media janë bërë më qëllim që të hutojnë publikun.

Sipas Haxhiut hetuesia nuk po e zbardhë rastin por janë duke e ndërtuar atë.

“Prandaj familja dhe ne kërkojmë që të ndërpriten ato hetime ndërsa kërkojmë që ato të bëhen nga hetues të pavarur e jo nga njerëzit e këtij sistemi”, tha Haxhiu.

Ndërsa, në lidhje me pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara në media sot avokati ligjor i familjes Dehari do të dorëzojë një kallëzim penal në prokurorinë e Shtetit kundër personave përgjegjës që ua dhanë medieve ato pamje.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në burgun e Prizrenit në rrethana ende të paqarta deri më tani.

Exit mobile version