Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hoxha në Washington takon homologun serb Gjuriq, thotë se retorika që nxit...

Hoxha në Washington takon homologun serb Gjuriq, thotë se retorika që nxit tensione duhet refuzuar

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka zhvilluar një takim me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në margjinat e një takimi ministror të zhvilluar në Washington, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, Hoxha bëri të ditur se me homologun serb diskutoi zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme ndërsa theksoi rëndësinë e dialogut të hapur diplomatik.

Gjatë takimit, Hoxha tha se riafirmoi “qëndrimin e qartë dhe të palëkundur” të Shqipërisë lidhur me deklaratat e fundit “të papranueshme dhe të papërgjegjshme” të bëra nga ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.

“Theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkroi Hoxha.

Ai tha se ky është thelbi i diplomacisë, “angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”.

Ministrja serbe Paunoviq gjatë një emisioni deklaroi se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Deklaratat e saj shkaktuan reagime në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, ndërsa autoritetet e Kosovës ministren në fjalë e shpallën person “non grata”.

Exit mobile version