Në një shoqëri që respekton liritë dhe diversitetin fetar, nuk ka asgjë të çuditshme apo shqetësuese kur institucionet publike shtrojnë një iftar apo kur personalitetet politike a publike marrin pjesë në këto darka. Megjithatë, në Shqipëri dhe Kosovë shpesh hasim reagime të nxitura nga forma të ndryshme të Islamofobisë, ku disa e shohin si problem shtrimin e një iftari nga një institucion shtetëror, por nuk shqetësohen për evente apo festime të tjera fetare në hapësira publike.
Rasti i Kalasë së Windsor-it në Mbretërinë e Bashkuar është një shembull që duhet të na bëjë të reflektojmë për mirë si shoqëri. Për herë të parë në historinë e tij një mijëvjeçare, ky simbol i monarkisë britanike hapi dyert për një iftar të publik, duke shënuar një hap domethënës në bashkëjetesën ndërfetare në vend. Më shumë se 360 persona u mblodhën të dielën në Sallën e Shën Gjergjit për të çelur agjërimin, në kuadër të përpjekjeve për ta bërë këtë hapësirë mbretërore më të hapur dhe të aksesueshme.
Nëse një vend si Britania e Madhe, me një histori të gjatë të monarkisë dhe institucioneve të saj tradicionale, e sheh të natyrshme dhe të nevojshme një iftar të tillë, atëherë përse ende ekzistojnë zëra që e kundërshtojnë një normalitet të tillë në shoqërinë tonë? Përqafimi i diversitetit fetar, toleranca dhe bashkëjetesa fetare nuk janë kërcënim, por shenjë e një shoqërie të pjekur dhe gjithëpërfshirëse. /observer.al
