Ballina Artikuj Iftar historik në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe shoqëria jonë mund të marr...

Iftar historik në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe shoqëria jonë mund të marr mësim.

Në një shoqëri që respekton liritë dhe diversitetin fetar, nuk ka asgjë të çuditshme apo shqetësuese kur institucionet publike shtrojnë një iftar apo kur personalitetet politike a publike marrin pjesë në këto darka. Megjithatë, në Shqipëri dhe Kosovë shpesh hasim reagime të nxitura nga forma të ndryshme të Islamofobisë, ku disa e shohin si problem shtrimin e një iftari nga një institucion shtetëror, por nuk shqetësohen për evente apo festime të tjera fetare në hapësira publike.

Rasti i Kalasë së Windsor-it në Mbretërinë e Bashkuar është një shembull që duhet të na bëjë të reflektojmë për mirë si shoqëri. Për herë të parë në historinë e tij një mijëvjeçare, ky simbol i monarkisë britanike hapi dyert për një iftar të publik, duke shënuar një hap domethënës në bashkëjetesën ndërfetare në vend. Më shumë se 360 persona u mblodhën të dielën në Sallën e Shën Gjergjit për të çelur agjërimin, në kuadër të përpjekjeve për ta bërë këtë hapësirë mbretërore më të hapur dhe të aksesueshme.

Nëse një vend si Britania e Madhe, me një histori të gjatë të monarkisë dhe institucioneve të saj tradicionale, e sheh të natyrshme dhe të nevojshme një iftar të tillë, atëherë përse ende ekzistojnë zëra që e kundërshtojnë një normalitet të tillë në shoqërinë tonë? Përqafimi i diversitetit fetar, toleranca dhe bashkëjetesa fetare nuk janë kërcënim, por shenjë e një shoqërie të pjekur dhe gjithëpërfshirëse. /observer.al