Ballina Lajmet Kosovë Inspektorët do të shqiptojnë gjoba nëse nuk respektohen masat që hyjnë në...

Inspektorët do të shqiptojnë gjoba nëse nuk respektohen masat që hyjnë në fuqi nga sonte

Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka njoftuar se inspektorët janë gati për të monitoruar respektimin e masave të reja të Qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit.

Tahiri ka shkruar në Facebook se gjobat nuk janë qëllim, por po bëhen të domosdoshme.

“Sonte fillon zbatimi i masave të reja të Qeverisë. Inspektorët e Prishtinës do të jenë në krye të detyrës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre masave. Gjoba nuk është qëllim në vete, por po bëhet mjet i domosdoshëm”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka apeluar që të respektohen masat e Qeverisë.

“Andaj, ju lutem, respektoni masat! Kujdesuni për veten dhe për të tjerët rreth jush!”, ka shkruar Tahiri.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës të dielën mbrëma ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Restorantet, kafenetë, klubet e natës dhe ndërmarrje tjera të ngjashme që ofrojnë shërbime të gastronomisë kudo në Kosovë nga sot e kanë të ndaluar që të ofrojnë shërbime brenda.

Përveç që këto ndërmarrje do të mbyllen tërësisht nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ato s’do të mund të punojnë në hapësira të mbyllura as jashtë këtij orari.

“Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme): Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës; Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet “merre me vete”, thuhet në pikën 9 të vendimit të qeverisë.

Exit mobile version