Zyra e Presidentit të Iranit ka publikuar të dielën një raport me emrat e 2.986 personave të vrarë gjatë protestave që shpërthyen në fund të vitit 2025, nga gjithsej 3.117 viktima të regjistruara gjatë trazirave.
Sipas raportit të Presidencës iraniane, në mesin e të vrarëve ka si civilë ashtu edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë. Identiteti i 131 personave ende nuk është konfirmuar, ndaj emrat e tyre nuk janë përfshirë në listë, ndërsa autoritetet thanë se puna për identifikimin e tyre po vazhdon.
Presidenca bëri të ditur se publikimi i raportit është pjesë e “politikës së transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies” të ndjekur nga presidenti Masoud Pezeshkian.
“Njerëzit që humbën jetën në ngjarjet e fundit janë bij dhe bija të këtij vendi dhe asnjë familje e pikëlluar nuk duhet të mbetet pa mbështetje,” thuhet në deklaratë. Ajo shton se, ndryshe nga “armiqtë historikë” të Iranit që i shohin jetët njerëzore si shifra për interesa politike, Republika Islamike e konsideron çdo viktimë si një botë më vete.
Protestat nisën më 28 dhjetor 2025 për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike dhe jetesës dhe zgjatën rreth dy javë.
Autoritetet iraniane kanë pranuar pakënaqësinë publike, por kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se kanë tentuar të shfrytëzojnë situatën përmes sanksioneve dhe presioneve, me qëllim nxitjen e destabilizimit dhe justifikimin e ndërhyrjes së huaj dhe ndryshimit të qeverisë.
Tensionet mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Në qershor 2025, Izraeli, me mbështetjen e Uashingtonit, kreu një sulm 12-ditor ndaj Iranit, duke goditur objektiva ushtarake, bërthamore dhe infrastrukturë civile, ku u vranë komandantë të lartë dhe shkencëtarë.
Irani u kundërpërgjigj duke goditur me raketa dhe dronë objektiva ushtarake dhe të inteligjencës izraelite, përpara se SHBA të shpallte një armëpushim. /mesazhi
