Ish-zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka deklaruar se Izraeli “pa asnjë dyshim” ka kryer krime lufte në Gaza, duke shënuar një largim të dukshëm nga qëndrimi zyrtar që mbante gjatë kohës që shërbente në administratën e Bidenit, raporton Anadolu.
Matthew Miller, i cili ka qenë zëdhënës i Departamentit të Shtetit nën Presidentin Joe Biden, bëri këto komente gjatë një interviste për podcastin Trump 100 të Sky News, e transmetuar të hënën.
I pyetur nëse ajo që po ndodh në Gaza përbën gjenocid, duke pasur parasysh se mbi 54,000 persona janë vrarë nga Izraeli që prej tetorit 2023 dhe popullsia përballet me rrezik urie, Miller tha se nuk e konsideron një gjenocid, por është i sigurt për krimet e luftës.
“Nuk mendoj se është gjenocid, por mendoj se është pa asnjë dyshim e vërtetë që Izraeli ka kryer krime lufte,” tha ai.
Miller shpjegoi se, gjatë detyrës së tij si zëdhënës, nuk mund të shprehte mendime personale: “Kur je në podium, nuk jep opinionin tënd personal. Përfaqëson qëndrimet e qeverisë së SHBA-së,” tha ai. Ai shtoi se qeveria amerikane ende nuk ka dalë me një përfundim zyrtar që Izraeli ka kryer krime lufte.
Ai bëri dallimin midis politikave shtetërore dhe veprimeve individuale të ushtarëve, duke sugjeruar se disa pjesëtarë të ushtrisë izraelite kanë kryer krime lufte në raste të caktuara, jo si pjesë e një politike të qëllimshme nga shteti.
“Ka pasur raste individuale që kanë qenë krime lufte, ku anëtarë të ushtrisë izraelite kanë kryer krime lufte,” tha ai.
Miller kritikoi gjithashtu mungesën e përgjegjësisë nga ana e Izraelit: “Nuk kemi parë që të mbajnë përgjegjësi një numër të mjaftueshëm pjesëtarësh të ushtrisë.” Ai shtoi se “mbetet një pyetje e hapur” nëse Izraeli do ta bëjë këtë ndonjëherë. /mesazhi
