Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Itali, detektorë në shkolla

Itali, detektorë në shkolla

Edhe në Shqipëri sherret midis të miturve janë shqetësuese, por masat mbeten gjysmake dhe jo efektive

Ministrat e Arsimit dhe të Brendshëm në Itali, Giuseppe Valditara dhe Matteo Piantedosi, kanë nënshkruar së fundmi qarkoren që autorizon kontrollet me detektorë metalësh në shkolla. Kjo masë ekstreme, vjen si pasojë e sulmeve të shpeshta me armë të ftohta, ku rasti më tronditës ishte vrasja e 18-vjeçarit Abanoub Youssef nga një shok klase në La Spezia.

Sipas qarkores, drejtorët mund të kërkojnë kontrolle të synuara, por vetëm me miratimin e prefektit dhe në bashkëpunim me forcat e rendit, duke u fokusuar në shkollat me “profile kritike” ku raportohet dhunë, drogë dhe ngacmim.

Ndërsa Italia po merr masa teknologjike për të garantuar sigurinë, situata në shkollat shqiptare mbetet alarmante dhe e mbuluar nga një pasiguri e vazhdueshme. Vitet e fundit, Shqipëria është tronditur nga ngjarje të rënda ku adoleshentët kanë humbur jetën ose janë plagosur rëndë gjatë sherreve me thika.

Motivet, shpeshherë banale – një shikim i shtrembër, një debat në rrjete sociale apo një konflikt i çastit- kanë përfunduar në tragjedi brenda ose në perimetrin e institucioneve arsimore. Rastet e fundit në Tiranë, Gramsh apo Fier dëshmojnë se thika është bërë një “aksesor” i rrezikshëm që shumë të rinj e mbajnë me vete në çantat e shkollës.

Kjo pasiguri ngre pyetjen legjitime: A mjafton prania e oficerit të sigurisë apo e rojes private kur kontrollet fizike janë pothuajse inekzistente? Ndërsa Italia po kalon në përdorimin e detektorëve për të parandaluar futjen e armëve, në Shqipëri debati mbetet ende në nivelin e monitorimit me kamera, të cilat shërbejnë vetëm për të filmuar krimin pasi ai ka ndodhur, dhe jo për ta parandaluar atë.

Mungesa e një strategjie konkrete për kontrollin e mjeteve të ftohta, po i kthen shkollat tona në arena konflikti. Ndoshta ka ardhur koha që edhe Shqipëria të konsiderojë marrjen e masave më rigoroze, duke kombinuar teknologjinë me edukimin, për të siguruar që nxënësit të hyjnë në klasë me libra dhe jo me mjete që marrin jetë. /tesheshi

Exit mobile version