Të paktën 86 palestinezë janë vrarë nga forcat dhe dronët izraelitë që nga mëngjesi i sotëm, përfshirë 56 pranë pikave të ndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore në spitale.
Vetëm në Rafah, në jug të Gazës, ushtria izraelite vrau 27 persona që po përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore.
Numri total i të vrarëve nga lufta e Izraelit që nga 7 tetori 2023 ka arritur në 56,077 persona, ndërsa të plagosurit janë mbi 131,000.
Këto vrasje janë pjesë e dhunës së përditshme pranë qendrave të ndihmave të ngritura nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një nismë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA, të cilën drejtori i UNRWA-s e ka quajtur “kurth vdekjeje”.
Sipas agjencisë Associated Press, të paktën 25 persona u vranë në një sulm në rrugën Salah al-Din në pjesën qendrore të Gazës. Mbi 140 persona të tjerë u plagosën, 62 prej tyre në gjendje kritike.
Pamje të verifikuara nga agjencia Sanad tregojnë kufomat e sjella në spitalin al-Awda në kampin e refugjatëve Nuseirat. Skena të ngjashme u raportuan edhe në kompleksin mjekësor Nasser në Khan Younis dhe në qytetin e Gazës.
Dëshmitarët okularë thanë se forcat izraelite qëlluan mbi civilët edhe teksa ata po përpiqeshin të largoheshin. “Ishte një masakër,” tha Ahmed Halawa.
Ushtria izraelite deklaroi se po heton raportet për viktima, duke pretenduar se njerëzit iu afruan ushtarëve në një zonë të ndaluar afër Korridorit të Netzarimit.
OKB e ka dënuar sistemin aktual të ndarjes së ndihmave, duke e cilësuar si “të militarizuar” dhe të rrezikshëm për jetën e civilëve të uritur.
“Është koha që udhëheqësit të tregojnë guxim politik për të ndalur këtë kasaphanë,” deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Drejtori i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, e quajti sistemin e ri të ndihmave “një neveri që poshtëron dhe rrezikon jetën e njerëzve të dëshpëruar”.
Mbi 400 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1,000 janë plagosur pranë pikave të ndihmës që nga fillimi i operacioneve të GHF në fund të majit.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Komisionin Ndërkombëtar të Juristëve, kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund operacioneve private dhe të militarizuara të ndihmës në Gaza, duke paralajmëruar për rrezikun e përfshirjes në krime lufte. /mesazhi
