Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ja si po trajtohen emigrantët dhe refugjatët në Greqi…

Ja si po trajtohen emigrantët dhe refugjatët në Greqi…

Në Greqi numërohen rreth 60 mijë emigrantë dhe refugjatë, të cilët janë akomoduar në kampe. Një pjesë e tyre janë në pritje të miratimit të kërkesave për azil, ndërsa të tjerë presin zhvendosjen apo shpërndarjen në vende të tjera të BE-së.

Por si po trajtohen ata në kampet greke?

Një raport i grupit “Doktorët e Botës” vë theksin në kushtet tejet të rënda në të cilat ndodhen të akomoduarit në kampe, të cilat janë të mbipopulluara.

Një tjetër evidentim është mungesa e kushteve higjenike, çka janë një rrezik për përhapjen e epidemive apo sëmundjeve ngjitëse.

Më shumë se gjysma e 20 mijë migrantëve, që arritën sivjet në Greqi janë gra dhe fëmijë, thuhet në të dhënat e OKB-së.

Ky grup, pas intervistimit, ka gjetur se 72 për qind e problemeve shëndetësore me të cilat përballen migrantët, janë trajtuar në mënyrë “joadekuate” ose nuk janë trajtuar fare.

Grupi “Doktorët e Botës” ka gjetur se gratë shpesh nuk kërkojnë fare përkujdesje shëndetësore, pasi nuk janë në dijeni për të drejtat e tyre. Ato, madje nuk e kuptojnë sistemin e përkujdesit shëndetësor ose kanë frikë se nëse kërkojnë ndihmë mjekësore mund të arrestohen.

Azilkërkuesit në Greqi kanë qasje në spitale dhe kujdes shëndetësor, por sistemi i shëndetit publik, që është goditur për shkak të krizës ekonomike, po përpiqet që të përballojë fluksin e pacientëve./Mesazhi/

Exit mobile version