Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Jemeni: kush lufton kundër kujt dhe kush qëndron pas palëve?

Jemeni: kush lufton kundër kujt dhe kush qëndron pas palëve?

Rivaliteti mes Riadit dhe Abu Dhabit po e ndërlikon më tej konfliktin

Jemeni po përjeton përplasjet më të rënda ushtarake të viteve të fundit. Lufta civile, që nisi në vitin 2014, është rikthyer me intensitet pas shembjes së armëpushimit të vitit 2022 mes rebelëve huthinj, të cilët kontrollojnë veriun, dhe forcave besnike të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Goditjet ajrore saudite ndaj aeroportit të Sanaasë në korrik i dhanë fund marrëveshjes së brishtë të armëpushimit. Në gusht dhe shtator, huthinjtë ndërmorën një ofensivë të shpejtë, duke rimarrë pjesën më të madhe të bregdetit perëndimor, përfshirë portin e Moka-s.

Përparimi i tyre i afroi me Ngushticën strategjike të Bab El-Mandebit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë ndërkombëtare. Tashmë, objektivi i radhës është Adeni, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe selia e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht. Ndërkohë, rrethimi dhjetëvjeçar i qytetit të Taizit është shtrënguar më tej, duke rritur rrezikun e pushtimit të tij.

Koalicioni qeveritar, një aleancë me shumë qendra pushteti

Që prej vitit 2022, Jemeni administrohet zyrtarisht nga Këshilli Presidencial i Udhëheqjes, i përbërë nga tetë anëtarë dhe i drejtuar nga Rashad al-Alimi. Ky institucion përfaqëson qeverinë e njohur ndërkombëtarisht dhe mbështetet nga Arabia Saudite.

Megjithatë, forcat ushtarake që e përbëjnë nuk kanë një komandë të unifikuar. Shumë prej tyre u përgjigjen drejtuesve të tyre lokalë dhe sponsorëve të huaj. Një nga formacionet më të fuqishme janë Brigadat Giants, me rreth 20.000-30.000 luftëtarë, të drejtuara nga Abdulrahman al-Muharrami, i njohur si Abu Zaraa.

Fillimisht ato u armatosën dhe financuan nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por pas tërheqjes së Abu Dhabit nga Jemeni, kaluan në financimin saudit. Megjithatë, identiteti i tyre jugor dhe lidhjet e vjetra me Emiratet vazhdojnë të ndikojnë në orientimin e tyre.

Shumë prej luftëtarëve nuk dëshirojnë të angazhohen përtej territoreve të jugut. Një aktor tjetër i rëndësishëm është Islah, një lëvizje politike sunite me lidhje historike me Vëllazërinë Muslimane, por që përfshin edhe elementë salafistë dhe fise lokale.

Ajo ka ndikim të madh në Taiz dhe kontrollon një pjesë të rëndësishme të strukturave të sigurisë që mbrojnë qytetin. Arabia Saudite e konsideron pjesë të rëndësishme të rrjetit të saj politik dhe ushtarak, ndërsa Emiratet kanë kundërshtuar vazhdimisht ndikimin e saj.

Forcat Homeland Shield, të drejtuara nga Abdulrahman Al-Lahji, kanë rreth 30.000-40.000 luftëtarë, kryesisht nga komunitetet fisnore dhe salafiste të Hadramautit dhe al-Mahras. Ato luajtën rol në rimarrjen e Hadramautit nga forcat e Këshillit Tranzitor Jugor në janar dhe tani përballen me huthinjtë në frontin lindor.

Ndërkohë, Forcat e Rezistencës Kombëtare drejtohen nga Tareq Saleh, nipi i ish-presidentit Ali Abdullah Saleh. Ky formacion, me rreth 50.000 luftëtarë, përbëhej kryesisht nga ish-pjesëtarë të Gardës Republikane dhe dikur mbështetej nga Emiratet. Pas humbjes së Moka-s në ofensivën e huthinjve, pozitat e tij u dobësuan ndjeshëm. Vetë Tareq Saleh u largua drejt Riadit në shtator.

Huthinjtë dhe mbështetja iraniane

Në kampin kundërshtar dominojnë huthinjtë, ose Ansar Allah, të cilët kanë lindur në provincën veriore të Saadas gjatë viteve 1990. Të udhëhequr nga Abdul-Malik al-Houthi, ata kanë rreth 350.000 luftëtarë dhe kontrollojnë afërsisht 30 për qind të territorit, ku jeton rreth 80 për qind e popullsisë së vendit.

Huthinjtë e morën kryeqytetin Sana më 2014, duke shkaktuar ndërhyrjen ushtarake të Arabisë Saudite një vit më vonë. Ata mbështeten fuqishëm nga Irani, i cili u ka siguruar armë, teknologji dhe ekspertizë ushtarake për zhvillimin e raketave dhe dronëve.

Mbështetje kanë marrë edhe nga Hezbollahu libanez. Përveç luftës brenda Jemenit, huthinjtë kanë sulmuar Izraelin dhe anije të lidhura me të ose me Arabinë Saudite që lundrojnë në Bab el-Mandeb. Megjithatë, kontrolli i tyre nuk është pa kundërshti. Gjatë viteve kanë krijuar aleanca me krerë fisnorë, por njëkohësisht kanë shtypur grupe lokale që kundërshtojnë autoritetin e tyre.

Rivaliteti saudit-emiratas dhe separatizmi jugor

Një nga pikat më të ndërlikuara të konfliktit është Këshilli Tranzitor Jugor (STC), i cili kërkon rikthimin e një shteti të pavarur në jug, siç ekzistonte deri në vitin 1990. I mbështetur politikisht dhe financiarisht nga Emiratet, STC arriti të merrte kontrollin e Adenit në vitin 2019 dhe të zgjeronte ndikimin në jug.

Në dhjetor 2025, forcat e tij ndërmorën një ofensivë në Hadramaut dhe Al-Mahra, duke shkaktuar reagimin e Arabisë Saudite. Riadi ndërhyri ushtarakisht dhe mbështeti kundërofensivën e forcave Homeland Shield.

STC u detyrua të tërhiqej dhe më pas të shpërbënte strukturat e tij. Udhëheqësi Aidarous al-Zubaidi u largua drejt Abu Dhabit, humbi vendin në Këshillin Presidencial dhe u akuzua për tradhti. Nga ana tjetër Emiratet, e tërhoqën mbështetjen ushtarake dhe financiare nga Jemeni.

Megjithatë, dëshira për pavarësinë e jugut mbetet e fortë. Protestat pro-STC në Aden dhe zonat përreth janë përballur me shtypje të dhunshme nga forcat qeveritare. Sipas analistit Andreas Krieg, Arabia Saudite ka arritur të shkatërrojë një pjesë të strukturave institucionale të STC-së, por jo rrjetet shoqërore, politike dhe ushtarake që e mbështesin atë.

Në këtë mozaik mbetet aktive edhe Al-Kaeda në Gadishullin Arabik (AQAP). Edhe pse shumë më e dobët se një dekadë më parë, kur kontrollonte për një periudhë portin e Mukallës dhe territore të tjera, organizata vazhdon të ketë baza në zonat malore të jugut dhe lindjes.

Ajo zhvillon sulme sporadike kundër forcave qeveritare, ndërsa është akuzuar edhe për bashkëpunim në rrjetet e kontrabandës me huthinjtë. Jemeni mbetet kështu një konflikt ku përplasja mes qeverisë dhe rebelëve është vetëm një pjesë e panoramës.

Rivaliteti mes Arabisë Saudite dhe Emirateve, ndërhyrja iraniane, separatizmi jugor dhe prania e organizatave xhihadiste e kanë shndërruar vendin në një fushëbetejë me shumë aktorë, ku edhe aleatët nominalë shpesh kanë objektiva të papajtueshme. \tesheshi

Exit mobile version