Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kanadaja planifikon të emërojë përfaqësues special për të luftuar islamofobinë

Kanadaja planifikon të emërojë përfaqësues special për të luftuar islamofobinë

Kanadaja njoftoi të shtunën se planifikon të emërojë një përfaqësues special për të luftuar islamofobinë si pjesë e strategjisë antiraciste të vendit, 5 vjet pas një sulmi vdekjeprurës në një xhami në Quebec, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Këtë vit, në prag të 5-vjetorit të këtij akti terrorist, Qeveria e Kanadasë qëndron pranë dhe mbështet komunitetin musliman në të gjithë vendin dhe rikonfirmon angazhimin e saj për të dënuar dhe luftuar islamofobinë dhe dhunën e urrejtjes”, tha qeveria kanadeze në një deklaratë.

Më tej u tha se islamofobia është një realitet për muslimanët anembanë Kanadasë dhe botës por se ndërtimi i një vendi më gjithëpërfshirës dhe luftimi i diskriminimit janë të nevojshme.

“Emërimi i një përfaqësuesi të posaçëm do të jetë një hap shtesë në punën e qeverisë përmes strategjisë antiraciste të Kanadasë për të luftuar islamofobinë në të gjitha format e saj”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se është rekomanduar gjatë Komitetit Kombëtar mbi Samitin për Islamofobinë që u mbajt në korrik 2021.

Duke e ndarë këtë deklaratë në rrjetet sociale, kryeministri Trudeau theksoi nevojën për të ndaluar islamofobinë në vend.

“Islamofobia është e papranueshme. Pikë. Ne duhet t’i japim fund kësaj urrejtjeje dhe t’i bëjmë komunitetet tona më të sigurta për muslimanët kanadezë. Prandaj, caktoni një përfaqësues special për të luftuar islamofobinë”, tha ai.

Vitin e kaluar, Kanadaja shpalli 29 janarin Ditë Kombëtare të Përkujtimit të vitit 2017, kur 6 persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën nga të shtënat në një xhami në Quebec. /aa

Exit mobile version