Kanadaja njoftoi të shtunën se planifikon të emërojë një përfaqësues special për të luftuar islamofobinë si pjesë e strategjisë antiraciste të vendit, 5 vjet pas një sulmi vdekjeprurës në një xhami në Quebec, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Këtë vit, në prag të 5-vjetorit të këtij akti terrorist, Qeveria e Kanadasë qëndron pranë dhe mbështet komunitetin musliman në të gjithë vendin dhe rikonfirmon angazhimin e saj për të dënuar dhe luftuar islamofobinë dhe dhunën e urrejtjes”, tha qeveria kanadeze në një deklaratë.
Më tej u tha se islamofobia është një realitet për muslimanët anembanë Kanadasë dhe botës por se ndërtimi i një vendi më gjithëpërfshirës dhe luftimi i diskriminimit janë të nevojshme.
“Emërimi i një përfaqësuesi të posaçëm do të jetë një hap shtesë në punën e qeverisë përmes strategjisë antiraciste të Kanadasë për të luftuar islamofobinë në të gjitha format e saj”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se është rekomanduar gjatë Komitetit Kombëtar mbi Samitin për Islamofobinë që u mbajt në korrik 2021.
Duke e ndarë këtë deklaratë në rrjetet sociale, kryeministri Trudeau theksoi nevojën për të ndaluar islamofobinë në vend.
“Islamofobia është e papranueshme. Pikë. Ne duhet t’i japim fund kësaj urrejtjeje dhe t’i bëjmë komunitetet tona më të sigurta për muslimanët kanadezë. Prandaj, caktoni një përfaqësues special për të luftuar islamofobinë”, tha ai.
Vitin e kaluar, Kanadaja shpalli 29 janarin Ditë Kombëtare të Përkujtimit të vitit 2017, kur 6 persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën nga të shtënat në një xhami në Quebec. /aa



