Studiuesit në Universitetin e Warwick kanë projektuar një sensor të ri me bazë diamanti që ata thonë se mund të revolucionarizojë mënyrën se si zbulohen tumoret.
Ekipi thotë se pajisja e re jo-toksike dhe jo-radioaktive është “shumë e ndjeshme” dhe përdor “vetitë unike të diamanteve për të zbuluar kancerin metastatik të gjirit”.
Metastaza është procesi me të cilin kanceri përhapet në trup.
Si e zbulon sensori i diamantit kancerin metastatik?
Sensori i diamantit funksionon duke zbuluar një lëng magnetik – një gjurmues – që i injektohet pacientes gjatë ose para operacionit të kancerit të gjirit.
Sipas studiuesve, sensori më pas mund të “lokalizojë lëngun dhe të identifikojë nyjet limfatike që duhet të hiqen kirurgjikalisht për të ndaluar përhapjen e kancerit”.
Hulumtimi u botua në revistën Physical Review Applied.
“Duke projektuar sensorin e ri të bazuar në diamant, ne ishim në gjendje ta zvogëlonim madhësinë e kokës së tij në vetëm 10 mm, që do të thotë se është sensori i parë i diamantit që mund të zbulojë lëngun ndërsa është mjaftueshëm i vogël për përdorim endoskopik”,-tha autori i parë Alex Newman.
Profesor Gavin Morley, autori kryesor dhe udhëheqësi i ekipit në departament, tha se diamantet mund të zbulojnë fushat magnetike “falë qendrave të ngjyrave të pranishme në diamant, të quajtura qendra të boshllëqeve të azotit”.
