Ballina Artikuj Karuni , modeli destruktiv i oligarkëve në çdo kohë

Karuni , modeli destruktiv i oligarkëve në çdo kohë

Historia e Karunit nuk është thjesht rrëfim për një njeri të pasur që jetoi në kohën e Musait (a.s.). Ajo është një pasqyrë e një modeli njerëzor që përsëritet në çdo epokë: modeli i njeriut që e shndërron pasurinë në mjet dominimi, ndikimi dhe padrejtësie.
Kurani na tregon se Karuni ishte nga populli i Musait (a.s.):
“Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait, por ai u tregua i padrejtë ndaj tyre.” (El-Kasas, 76)
Ai ishte nga bijtë e Israilit, pjesë e të njëjtit popull që vuante nën shtypjen e Faraonit. Madje, sipas disa transmetimeve, Karuni ishte kushëri i Musait (a.s.), djali i xhaxhait të tij. Kjo e bën historinë e tij edhe më domethënëse, sepse ai nuk ishte armik i jashtëm, por njëri prej tyre.
Megjithatë, pasuria e madhe që Allahu i kishte dhënë e ndryshoi. Lakmia për më shumë pasuri, privilegje dhe ndikim e largoi nga populli i vet dhe nga vlerat që duhej të mbronte. Disa transmetime tregojnë se ai u afrua me Faraonin dhe bashkëpunoi me pushtetin shtypës në dëm të bijve të Israilit, duke vendosur interesat e tij personale mbi interesat e popullit të tij.
Kurani përshkruan pasurinë e tij me një gjuhë mahnitëse:
“Ne i dhamë atij aq shumë thesare, saqë çelësat e tyre mezi mund t’i bartte një grup burrash të fuqishëm.”
Nuk bëhej fjalë për pasuri të zakonshme, por për një grumbullim të jashtëzakonshëm të pasurisë. Pikërisht kjo pasuri u bë shkak që Karuni të ngritej mbi njerëzit dhe të sillej me mendjemadhësi e padrejtësi.
Kurani nuk e specifikon formën e padrejtësisë së tij, duke lënë të kuptohet se ajo mund të ketë marrë forma të ndryshme: shtypje ekonomike, shfrytëzim të njerëzve, përvetësim të të drejtave të tyre ose bashkëpunim me pushtetin e padrejtë kundër interesave të popullit.
Në këtë kuptim, Karuni përfaqëson figurën e oligarkut që e mat vlerën e njeriut me pasurinë, që e konsideron suksesin si meritë ekskluzive personale dhe që harron se çdo begati është në thelb dhuratë dhe sprovë nga Allahu.
Kjo filozofi shfaqet qartë në fjalët e tij:
“Kjo pasuri më është dhënë për shkak të dijes që kam.”
Me këtë deklaratë, Karuni mohoi mirësinë e Allahut dhe e atribuoi suksesin e tij vetëm vetes. Ai e shihte pasurinë si rezultat të aftësive të tij personale dhe jo si një amanet për të cilin do të jepte llogari.
Kjo është pikërisht logjika që shpesh shfaqet tek oligarkët e çdo kohe: grumbullimi i pasurisë në duart e pak njerëzve, përdorimi i ndikimit ekonomik për të kontrolluar politikën dhe shoqërinë, si dhe bindja se pasuria u jep atyre të drejtën të vendosin mbi fatin e të tjerëve.
Por ndër popullin e tij kishte njerëz të mençur që u përpoqën ta këshillonin. Ata nuk i kërkuan të hiqte dorë nga pasuria, por ta përdorte atë në mënyrën e duhur:
“Mos u mburr, sepse Allahu nuk i do ata që mburren. Kërko me atë që të ka dhënë Allahu botën tjetër, por mos e harro pjesën tënde nga kjo botë. Bëj mirë, ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty, dhe mos përhap çrregullim në tokë. Vërtet, Allahu nuk i do çrregulluesit.”
Ky është modeli islam i pasurisë: pasuri me përgjegjësi, sukses me përulësi dhe fuqi me drejtësi.
Prandaj, Karuni nuk është thjesht një personazh historik. Ai është simbol i një fenomeni që përsëritet vazhdimisht: i njeriut që për hir të pasurisë shkëputet nga populli i tij, i elitës që bashkëpunon me padrejtësinë për të ruajtur privilegjet e veta dhe i oligarkut që e vendos interesin personal mbi të mirën e përbashkët.
Historia e tij na kujton se pasuria nuk është problem në vetvete. Problemi fillon kur pasuria prodhon arrogancë, kur fuqia ekonomike përdoret për të shtypur të tjerët dhe kur njeriu harron se gjithçka që posedon është një amanet nga Allahu.
Sa herë që pasuria vihet në shërbim të drejtësisë, solidaritetit dhe zhvillimit të shoqërisë, ajo bëhet bekim. Por sa herë që shndërrohet në mjet dominimi, korrupsioni dhe padrejtësie, ajo e çon njeriun në rrugën e Karunit.
Dhe kjo është arsyeja pse historia e Karunit mbetet një nga paralajmërimet më të fuqishme të Kuranit për individët, elitat dhe shoqëritë e çdo kohe.

Përshtati: Rufat Sherifi

Exit mobile version