Ballina Sport KB Trepça, kampione e Kosovës pas 12-vjetësh

KB Trepça, kampione e Kosovës pas 12-vjetësh

Pas 12-vjetësh pritjeje, KB Trepça e ka fituar titullin e Kosovës në basketboll.

Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin në ndeshjen e pestë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

Trepça fitoi me rezultatin 67:66 të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, që ishte e stërmbushur me shikues.

Për “xehetarët” është titulli i pestë në histori të klubit, ndërsa Golden Eagle Ylli mbetet me dy titujt e fituar në vitet 2021 e 2022.

Njësoj si katër ballafaqimet e kaluara, edhe të enjten mbrëma pati dramë dhe u vendos krejt në fund. Një minutë pa përfunduar i gjithë dueli, Darnell Edge shënoi për tri pikë, për rezultatin 65:60.

Edge më pas i realizoi edhe dy gjuajtje të lira për 67:60.

Alonzo Verge Jr. i shënoi dy trepikësha më pas për Yllin, por nuk dolën të mjaftueshme për ta shmangur disfatën me një pikë dallim, si dhe humbjen e titullit.

Suharekasit e nisën mirë ballafaqimin duke fituar 16:10 në çerekun e parë.

Mitrovicasit u këndellën në dhjetë minutëshin e dytë dhe fituan 20:14, ndërsa në pushim skuadrat shkuan me rezultatin e barabartë, 30:30.

Ylli fitoi edhe në periudhën e tretë 11:7, por çereku vendimtar ishte i fundit ku Trepça fitoi 30:25.

Më i miri në këtë triumf të vendësve ishte Edge, i cili ndeshjen e mbylli me 15 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.

Brandon Edwards kontribuoi me 15 pikë e tri kërcime, kurse Kevin Bracy-Davis e mbylli takimin me 13 pikë, pesë kërcime e një asistim.

Verge Jr. ishte sërish më i dalluari tek Ylli me 28 pikë, katër kërcime e tetë asistime.

Por, suharekasve nuk u ndihmoi as loja e mirë e Jalen Nesbitt, i cili pati 11 pikë, tetë kërcime e tri asistime.

Trepça i ka fituar titujt në vitin 1993, 2000, 2001, 2012 dhe në edicionin aktual, 2023/2024.

Në këtë sezon e ka fituar edhe Kupën e Kosovës, Superkupën dhe Ligën Unike

Exit mobile version