Ballina Artikuj Keqmenaxhimi i parasë publike në Kosovë

Keqmenaxhimi i parasë publike në Kosovë

Lulzim Beqiri

Menaxhimi i financave publike, nga shumica dërmuese e organizatave buxhetore, bëhet në mënyrën më të keqe dhe jotransparente, andaj duhet të fuqizohet edhe roli i auditorëve të brendshëm, sepse aktualisht ata janë të varur nga bartësit e institucioneve ku raportojnë. Prandaj, duke e marrë për bazë edhe raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duhet të ndërmerren hapa konkretë dhe të shpejtë për të parandaluar keqmenaxhimin e parasë publike.

 

Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë

Pasojat ekonomike që dalin nga keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës. Kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovarë humbin si pasojë e faktorit njeri, si pasojë e përfitimit personal e kriminal, andaj shpenzimi i parasë publike duhet të bëhet në mënyrë më efikase/efektive dhe me një transparencë më të madhe se deri më tani.

Miliona euro në vit tjetërsohen brenda institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në forma të ndryshme, që nga dyfishimi i çmimeve për një produkt të blerë, e deri te keqmenaxhimi i projekteve madhore. Manipulohet edhe me komplekset memoriale, raste që çdo ditë raportohen në media të shkruara dhe elektronike. Keqmenaxhohet me paranë publike në Komuna, në departamente të ndryshme, në ndërmarrje publike, në shëndetësi, në kulturë e në sport, pra keqmenaxhimi ka zënë vend në jetesën e shqiptarëve të Kosovës dhe kjo nuk është për t’u heshtur nga shoqëria kosovare. Prandaj çdo i ri dhe e re duhet ngrihet për t’i dalë në ballë kësaj të keqeje.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me qytetarët e saj,  duhet që sot o kurrë të bëjë koalicion të përbashkët, për t’ua dhënë goditjen e merituar atyre që janë duke e aplikuar këtë dukuri çoroditëse në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Kjo në fund të fundit është detyra jonë si qytetar, për të denoncuar të keqen dhe, në të njëjtën kohë, ne gjithmonë duhet të jemi të vetëdijshëm për të mos përkrahur sjelljen e keqe të disa individëve. Ne nuk duhet të lidhemi me ta ose t’u lakmojmë atyre, qofshin edhe të afërmit tanë.

Menaxhimi i financave publike, nga shumica dërmuese e organizatave buxhetore, bëhet në mënyrën më të keqe dhe jotransparente, andaj duhet të fuqizohet edhe roli i auditorëve të brendshëm, sepse aktualisht ata janë të varur nga bartësit e institucioneve ku raportojnë. Prandaj, duke e marrë për bazë edhe raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duhet të ndërmerren hapa konkretë dhe të shpejtë për të parandaluar keqmenaxhimin e parasë publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) brenda afatit ligjor ka përfunduar 121 auditime për sezonin auditues 2021/22, prej të cilave 110 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, si dhe 11 të auditimit të performancës. Ndërkaq në proces të finalizimit janë edhe nëntë (9) auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe tri (3) auditime të performancës, theksohet në konferencën për opinion nga ZKA.

Sipas ZKA-së në 90 raportet e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë në institucionet qendrore dhe në komuna janë dhënë 46 opinione të pamodifikuara dhe 44 opinione të modifikuara, prej tyre, 42 të kualifikuara dhe 2 të kundërta,  kurse tek 12 ndërmarrjet publike të gjitha opinionet janë modifikuar, prej tyre 10 opinione të kundërta dhe dy  të kualifikuara.

Parregullsitë janë të përhapura në cikël të ndryshëm transaksionesh dhe kategorish ekonomike të ndërlidhura me menaxhim financiar të  shpenzimeve, të hyrave, proceseve të prokurimit, subvencioneve, menaxhim të aseteve, menaxhim të personelit dhe fusha të tjera, të rëndësishme të cilat ndikojnë dukshëm në mirëqenien e qytetarëve të vendit.

Sipas ZKA-së, nga analiza e bërë për 12 NP-të në lidhje me rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se vetëm gjatë vitit 2021 shtatë (7) prej tyre kanë operuar me një total të humbjeve prej 17.3 milionë, ndërsa pesë (5) të tjera kanë treguar një fitim prej 3.3 milionësh.

Pjesën më të madhe të humbjeve e kishte Telekomi i Kosovës, në shumën prej 10.8 milionë euro ose 66% të totalit të humbjeve, kurse fitimin më të madh e kishte realizuar Termokosi, në shumën prej 1,9 milionë euro ose rreth 49% nga totali i fitimit, theksohet në raportin e auditorit.

Sipas Raportit të ZKA-së, janë identifikuar 67 raste me elemente potenciale për kryerjen e veprave penale dhe duke u bazuar në kompetencat ligjore, për të gjitha këto raste është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka njoftuar se çështjet e raportuara i ka adresuar tek kryeprokurorët e shtatë prokurorive themelore në nivel vendi.

Këtu janë disa nga konkluzionet kryesore të këtyre auditimeve:

Në auditimin e performancës në RTK, kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt duke mos respektuar edhe vendimet e Bordit nga menaxhmenti, i ka kushtuar RTK-së keqmenaxhim financiar në vlerë prej rreth 800 mijë euro për tre vjet. Parregullsitë kanë rezultuar me mungesë të llogaridhënies, transparencës dhe konkurrencës në menaxhimin e fondeve publike.

Tek auditimi i hidrocentraleve, ZKA ka konkluduar se sistemi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi të theksuara në zbatimin e kritereve, i cili nuk siguron shfrytëzim efikas të ujërave në vend dhe menaxhim e mbrojtje të duhur të tyre dhe të mjedisit. Hidrocentralet janë lëshuar në përdorim pa u pajisur me leje ujore, mjedisore dhe licencë të prodhimit.

Tek auditimi i sistemit të regjistrimit civil, konkluzioni i auditimit është se kontrollet e aplikacionit, që zbatohen në SGJC, nuk sigurojnë që vetëm të dhëna të sakta dhe të vlefshme vendosen në sistem. Auditimi ka  identifikuar një numër të qytetarëve të regjistruar nga dy herë, të cilët kanë nga dy numra personale të ndryshëm. Po ashtu, janë identifikuar raste ku dy deri në shtatë qytetarë të ndryshëm ishin të regjistruar në sistem me të dhëna të njëjta të librit fizik të regjistrit të gjendjes civile.

Tek auditimi i sistemit të pagave, është identifikuar se për të rritur efektivitetin dhe saktësinë e të dhënave edhe më tutje ka nevojë për përmirësim. Thesari nuk ka vendosur strukturë organizative të qartë për funksionimin e duhur të sistemit, procesi i punës nuk ishte i bazuar në objektiva strategjike dhe kontrollet e aplikacionit nuk janë të mjaftueshme për ta mbështetur procesin e pagave.

Tek auditimi i projektit kapital “Bashkimi i Qytetit në Ferizaj”  ZKA ka konstatuar se projekti kishte marrë më shumë kohë dhe kostoja e projektit ishte më e lartë seç ishte paraparë. Vlera e parashikuar e kontratës për projektin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura” ishte afër katër fish më e lartë, ndarjet buxhetore ishin 1.5 milion euro, ndërsa kostoja përfundimtare kishte arritur në 5.9 milion euro. Si pasojë e planifikimit jo të mirë të projektit, komuna kishte kontraktuar shumë punë të cilat nuk ishin parashikuar në fillim, është identifikuar menaxhim joefektiv i kontratave dhe kishte vonesë në kryerjen e punëve. Ndërkaq, deri në kryerje të auditimit ende nuk ishte bërë pranimi teknik i projektit, theksohet në raportet e ndryshme nga ZKA.

Numri dhe llojet e auditimeve në tri vjetët e fundit.

Sezoni i auditimit /plani vjetor
Llojet e auditimeve 2021/2022 2020/2021 2019/2020
Auditime të rregullsisë 117 116 119
Buxheti i Kosovës 1 1 1
Institucionet qendrore 52 52 57
Komunat 38 38 38
Ndërmarrjet publike 12 12 14
Projekte 14 13 9
Auditimet e Performancës 15 8 8
Performancë dhe Prokurim 8 5 8
Teknologji Informative 3 3 0
Auditime të pa përfunduara nga viti paraprak. 4
Auditime të Pajtueshmërisë 2 0 0
Gjithsej 134 124 127

Burimi: ZKA

Sa u përket Ndërmarrjeve Publike, ZKA-ja ka audituar (14) sosh për vitin fiskal 2020. Rezultatet nga përcjellja dhe analizimi i progresit në zbatimin e rekomandimeve për këto NP janë paraqitur më poshtë.

Progresi i zbatimit të rekomandimeve nga Ndërmarrjet Publike të audituara në vitin 2020 për vitin 2019.

Ndërmarrjet
 
Publike të
 
audituara
Rekomandimet
e dhëna
Të zbatuara
Të adresuara
pjesërisht ose
në proces
Të mbyllura
Të pazbatuara
Nr.
Nr. Nr. % Nr. % Nr. % Nr. %
1 Hekurudhat e 

Kosovës –  Trainkos

10 5 50% 5 50%
2 Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) 9 9 100%
3 KRU Prishtina 36 9 25% 3 8% 2 22 61%
4 KRU 

Hidroregjioni Jugor

11 6 55% 4 36% 1 9%
5 KRU Drini Bardhe 20 13 65% 1 5% 6 30%
6 KRM Uniteti
7 KRM Pastrimi 44 24 55% 20 45%
8 Stacioni i 

Autobusëve

9 Hortikultura 6 4 67% 2 33%
10 Posta e Kosovës 25 18 72% 2 8% 5 20%
11 Telekomi i Kosovës 36 16 44% 4 11% 16 44%
12 Bifurkacioni 34 22 65% 4 12% 8 24%
13 Hidromorava 11 6 55% 1 9% 4 36%
14 Ndërmarrja e Re Energjetike e 

Kosovës

2 1 1 50%
Gjithsej 244 133 55% 21 2 88

Burimi: ZKA

 

Nga tabelën më lart vërehet se ZKA, në raportet e auditimit të vitit 2019, kishte dhënë 244 rekomandime dhe gjatë auditimit në vitin 2020 kishte vlerësuar zbatimin e rekomandimeve. Sipas këtij vlerësimi, 54% e rekomandimeve ishin zbatuar plotësisht, 9% janë në proces të zbatimit, 1% ishin mbyllur si të pazbatuara dhe 36% edhe me tutje nuk janë zbatuar.

Republika e Kosovës ka nevojë për një strategji të menaxhimit të financave publike, e cila strategji e rrit përgjegjshmërinë dhe transparencën e fondeve publike. Një strategji e tillë e parandalon keqmenaxhimin e parasë publike, ngase jo rrallë herë këto mjete keqpërdoren për ta sabotuar qeverinë aktuale, sidomos në shëndetësi, në ndërmarrje publike, në komuna e në shumë organizata të tjera buxhetore.

Një strategji të tillë e ka edhe Shqipëria, e cila ia mundëson pushtetit vendor ofrimin e shërbimeve më të mira dhe më transparente për qytetarët, u jep atyre mundësinë ta thonë fjalën e tyre për planifikimin dhe shpenzimin e parave publike.

Janë qindra raste të raportuara të keqmenaxhimit të parasë publike. Po i përmendi vetëm dy nga shumë rastet: 43 milionë euro u keqpërdoren për shpronësime në autostradën Prishtinë-Pejë, pastaj rasti i 53 milionëve të Bechtel Enka-s e shume raste të tjera, të cilat po e dëmtojnë tej mase qytetarin e vendit.

Exit mobile version