Ballina Artikuj Këtë muaj takimi i radhës në Bruksel për targat e automjeteve, optimizëm...

Këtë muaj takimi i radhës në Bruksel për targat e automjeteve, optimizëm për marrëveshje

Këtë muaj do të takohen për herë të pestë në Bruksel grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për ta gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e automjeteve. Rreth një muaj para përfundimit të afatit gjashtëmujor të marrëveshjes për “stikersat” ka optimizëm për arritjen e një ujdie të re.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se presin një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane. Kurse nga Bashkimi Evropian deklarojnë se takimi i fundit i grupit punues ka krijuar më shumë qartësi në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme për ta promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon.

Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, tha për KosovaPress se në katër takimet e kaluara janë diskutuar propozime dhe argumentime për modele të zgjidhjes se cila do të jetë e pranueshme për të dy palët

“Deri më tani grupet punuese janë takuar katër herë. Gjatë këtyre takimeve janë diskutuar propozime dhe janë dhënë argumentime për modele të ndryshme të zgjidhjes e cila do të jetë e pranueshme për të dy palët. Javëve dhe muajve në vijim presim që të mbahet edhe takime të tjera drejt një zgjidhjeje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane”, thotë ai në një përgjigje për KosovaPress.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se grupi punues po mblidhet rregullisht për të paraqitur gjetjet konkrete brenda afatit të paracaktuar e që është 6 muaj nga takimi i parë më 21 tetor 2021.

“Mbledhja e katërt e Grupit punues për targa u zhvillua më 28 janar 2022. Diskutimi konkret i thelluar për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave krijoi më shumë qartësi në lidhje me opsionet e mundshme dhe rezultatet e mundshme për të promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon. Grupi punues mblidhet rregullisht për të paraqitur gjetjet konkrete brenda 6 muajve nga takimi i parë më 21 tetor 2021. Grupi i Punës do të mblidhet sërish këtë muaj”, thotë ai.

Nga ana tjetër, më skeptike për një marrëveshje finale për targat është Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Njohësja e procesit të dialogut thotë për KosovaPress se shpeshherë në dialogun me Serbinë nuk janë respektuar afatet e parapara.

Sipas saj, ujdinë për targat mund ta pamundësojnë edhe zgjedhjet në Serbi.

“Palët i kanë dhënë njëra tjetrës 6 muaj kohë deri tek një zgjidhje më e qëndrueshme sa i përket targave, marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Nuk është se në dialog ndonjëherë janë respektuar afatet, gjithmonë ka pasur shkelje të afateve në dialog, kryesisht nga ana e Serbisë. Meqenëse Serbia është në një proces zgjedhor dhe presidenti Aleksandar Vuçiq atje është pjesë e subjekteve politike që atje garojnë dhe mund të përdorë këtë për pikë politike atje dhe kalkulime elektorale. Çdo gjë që ndodh brenda kësaj periudhe derisa atje të përfundojnë zgjedhjet nuk është shumë reale, më shumë është diçka që bëhet për qëllime politike”, tha Demolli.

Kosova më 20 shtator të vitit 2021 filloi reciprocitetin e targave të automjeteve ndaj Serbisë. Për zbatimin e kësaj mase u mobilizua edhe Njësia Speciale e Kosovës. Kjo krijoi tensione në veri të vendit ku qytetarë serbë protestuan dhe bllokuan rrugët kufitare në atë pjesë.

Si pasojë e tensionimit, më 30 shtator Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit arritën marrëveshje për deskalimin e situatës dhe largimin e Njësisë Speciale nga veriu dhe lirimin e rrugëve. Ndërsa automjeteve të dy palëve do t’iu vendoseshin stikersa ku mbulohen simbolet shtetërore.

Exit mobile version