Përplasjet mes kolonëve izraelitë dhe palestinezëve në rajonin e Nablusit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, kanë vazhduar gjatë natës së kaluar.
Sipas Quds News Network, kolonët kanë rrafshuar tokën dhe kanë rrënuar pemë ulliri që u përkisnin fermerëve palestinezë në afërsi të qytetit Aqraba, në juglindje të Nablusit.
Ndërkohë, Qendra Palestineze e Informacionit raporton se kolonë izraelitë kanë hyrë edhe në fshatin palestinez Kafr Qallil, në lindje të Nablusit.
Gazetari izraelit Shlomo Raichman nga Radioja Ushtarake e Izraelit njofton se është themeluar një vendbanim i ri i paligjshëm izraelit në perëndim të Nablusit, pranë vendbanimit ekzistues Kedumim.
“Gjatë natës, u themelua një lagje e re – ‘Nofei Gideon’ – në perëndim të Kedumim,” shkroi Raichman në rrjetin X. “Gjatë muajve të fundit u ndërtua rruga dhe infrastruktura, ndërsa sonte u vendosën ndërtesat dhe 10 familje filluan të banojnë atje,” shtoi ai. /mesazhi
