Kongresisti amerikan, Ro Khanna rrëfeu të mërkurën një histori “të tmerrshme” të një adoleshenti palestinezo-amerikan, i cili kaloi nëntë muaj në paraburgim izraelit pa akuza para se të lirohej në nëntor të vitit të kaluar, transmeton Anadolu.
Në një video të postuar në kompaninë amerikane të mediave sociale X, Khanna ndau historinë e Mohammed Ibrahimit, i cili ishte 15-vjeç kur u arrestua në shkurt 2025, duke thënë se ai takoi babanë e djalit gjatë vizitës së tij të fundit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Kur isha në Palestinë në Bregun Perëndimor të pushtuar, takova babanë e një adoleshenti nga Florida të quajtur Mohammed Ibrahim. Ky djalë amerikan u mbajt në kushte të tmerrshme në një burg izraelit për gati 10 muaj dhe vendi ynë e la vetëm”, tha Khanna në video.
Ai theksoi se Mohammedi u mor nga forcat izraelite në mesnatë nga shtëpia e tij, duke thënë se atij i kishin lidhur sytë, i kishin lidhur zinxhirë dhe e kishin rrahur në një kamp ushtarak përpara se të sillej në një stacion të policisë.
Kongresisti tha se forcat izraelite e kishin penguar djalin të shihte prindërit e tij, duke thënë se “këtij të riut amerikan nuk iu ofrua avokat, ai thjesht duhej të ulej aty në atë që ai e përshkroi si temperatura të ulta”.
Khanna tha se Mohammedi u akuzua për gjuajtje me gurë ndaj një makinë izraelite, por ai i mohoi këto akuza.
“Nuk kishte rëndësi. Nuk kishte asnjë proces të vërtetë ligjor për të, asnjë sistem drejtësie që do të arrinte te faktet pa paragjykim apo diskriminim. Mohammadi kujtoi hetuesin e tij, duke kërcënuar se nëse ai nuk do ta rrëfente, ushtarët do ta rrihnin përsëri”, tha Khanna.
Ai shtoi se Mohammadi u detyrua në një qeli burgu me gjashtë persona me 10 djem të tjerë adoleshentë në një qendër paraburgimi ushtarak, duke thënë se “ai pa shokun e tij të qelisë, 17-vjeçarin Waleed Ahmad, të cilin e njihte që nga fëmijëria, të vdiste nga mungesa e ndihmës urgjente mjekësore”.
Khanna tha se kushëriri 20-vjeçar i Mohammadit u rrah për vdekje nga “kolonët ekstremistë”.
Kongresisti amerikan bën thirrje për drejtësi për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Vendi ynë, i cili u themelua mbi parimet e lirisë, po ndihmon shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor të pushtuar që po copëtojnë familjet”, tha ai.
