Ballina Artikuj Kosova dështoi në testin e demokracisë: Gjykata Supreme i thotë “jo” shamive...

Kosova dështoi në testin e demokracisë: Gjykata Supreme i thotë “jo” shamive në shkollat publike.

Nora Huseinovic

Sot kam pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, me të cilin kjo gjykatë refuzon të shfuqizojë Udhëzimin Administrativ që ndalon bartjen e shamive në shkollat publike.

Gjykata, ndër të tjera, konstaton se institucionet ekzekutive janë bazuar në dispozita të Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjit për Arsimin Profesional, sipas të cilave “nxënësit obligohen për bartjen e uniformës shkollore” dhe se “rregullat e kodit të mirësjelljes për nxënësit i nxjerr MASHTI me akt nënligjor”.

Në këtë logjikë, gjykata ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ është në përputhje me kompetencat ligjore të ekzekutivit.

Megjithatë, Gjykata ka dështuar të arsyetojë se si shamia e kokës e një vajze të mitur në shkollë mund të paraqesë “kërcënim për laicitetin e shtetit” apo “kërcënim për neutralitetin e sistemit arsimor”.

Po ashtu, Gjykata Supreme mbështetet në një Aktvendim për papranueshmëri të Gjykatës Kushtetuese (KI 36/11, datë 30.09.2011), ku pas shpalljes së kërkesës si të papranueshme, Gjykata Kushtetuese megjithatë është lëshuar në komentime të panevojshme mbi meritat e çështjes.

Nga aspekti juridik, në bindjen time:

1.⁠ ⁠Gjykata ka anashkaluar Nenin 55 të Kushtetutës, sipas të cilit të drejtat dhe liritë mund të kufizohen vetëm me ligj, jo me akte nënligjore.

2.⁠ ⁠Baza ligjore i jep kompetencë ekzekutivit të përcaktojë rregulla të mirësjelljes dhe uniformës, por jo të kufizojë liritë kushtetuese të qytetarëve.

3.⁠ ⁠Aktvendimi për papranueshmëri i Gjykatës Kushtetuese (KI 36/11) nuk është i detyrueshëm juridikisht (nuk ka peshën e një aktgjykimi mbi meritat) — as për vetë Gjykatën Kushtetuese, e aq më pak për gjykatat e rregullta.

Beteja ligjore në këtë çështje strategjike do të vazhdojë me kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij Aktgjykimi të Gjykatës Supreme.

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se ky Aktgjykim nuk e pengon ekzekutivin që, bazuar në kompetencat ligjore që ka, të shfuqizojë në çdo kohë Udhëzimin Administrativ diskriminues dhe t’i japë fund përjashtimit të vajzave me shamia nga shkollat publike.

Koha është që shteti të jetë garant i të drejtave dhe lirive, jo kufizues i tyre.

Arsimi duhet të jetë i hapur për të gjitha vajzat — pa dallim.

Nora Huseinovic

Exit mobile version