Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare ndërmjet Kosovës dhe Panamasë.
Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Panamasë, Carlos A. Hoyos.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në një atmosferë zyrtare, duke rikonfirmuar përkushtimin e dy shteteve për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve diplomatike.
Gjatë takimit dypalësh që i parapriu nënshkrimit, palët diskutuan për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave edhe për mbajtësit e pasaportave të rregullta. Po ashtu, u trajtuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si siguria, arsimi i lartë dhe turizmi.
Në përfundim të takimit, u dakordua që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel të zëvendësministrave, të mbahet në Prishtinë në fund të vitit 2026.
