Ballina Sport Kosova po mësohet me rolin e favorites

Kosova po mësohet me rolin e favorites

Tifozët e Kosovës nuk do të kenë luksin që të shohin yj të futbollit botëror duke u përballur me lojtarët e Kosovës, në ndeshje të Ligës së Kombeve të UEFA-s, shkruan sot Koha Ditore.

Në Ligën e Kombeve, Kosova ka pasur dhe do të ketë përballë përfaqësuese të nivelit të katërt, përkatësisht nivelit të fundit evropian. Dhe ky fakt vlerësohet se e bën Ligën e Kombeve garë shumë të qëlluar për Kosovën.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll garon në Ligën D të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Liga D përbëhet nga 16 përfaqësueset e ranguara më së ulëti në Evropë (40 – 55). Dhe përfitimi më i madh në aspektin garues nga Liga e Kombeve është që njëra prej këtyre 16 përfaqësueseve do të paraqitet në kampionatin e ardhshëm evropian, në vitin 2020.

Prej 16 përfaqësueseve që garojnë në katër grupet e Ligës D, vetëm Letonia ka marrë pjesë në Evropian. Ishte renditur e fundit në Euro 2004, ndonëse kishte barazuar pa gola me Gjermaninë.

Ndaj Letonisë, Kosova ka fituar në miqësore (4:3), në nëntor të vitit të kaluar. Dhe tash Kosova synon të përsërisë suksesin e Letonisë nga 2004-a. Përmes kualifikimeve të rregullta kjo është shumë e vështirë. Por përmes Ligës së Kombeve është diçka e mundshme.

Exit mobile version