Ballina Lajmet Kosovë Krasniqi: Serbët falsifikuan “Vidovdanin”, osmanët fitues të Betejës së Kosovës

Krasniqi: Serbët falsifikuan “Vidovdanin”, osmanët fitues të Betejës së Kosovës

Qytetarët serbë të Kosovës festojnë sot Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si “Vidovdan”.

Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e 628 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Mirëpo, ndryshe mendon profesori universitar, Milazim Krasniqi, i cili në një prononcim për Ekonomia Online ka deklaruar se Beteja e Kosovës është njëra nga historitë më të falsifikuara në historigrafinë e nacionalizmit serb.

“Beteja e Kosovës është një histori, politike e falsifikuar e nacionalizmit serb. Serbët i kanë dhënë përmasa e kanë deformuar dhe prej saj kanë krijuar një pretendim imperialist, e që sipas saj Kosova është tokë e shenjtë serbe është Jerusalemi serb. Përmes kësaj beteje ata e kanë legalizua pretendimin se Kosova është tokë serbe dhe pronë serbe. Ky është një mit i rrezikshëm imperialist i cili herë pas herë jep virulencë të lartë në raportet shqiptaro-serbe”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket fituesit të kësaj beteje të cilën serbët e quajnë Vidovdan, Krasniqi ka thënë se të vetmit fitues janë Osmanët.

“Fitues në këtë betejë janë Osmanët, sepse ata kanë mbërri me thye koalicionin e serbëve dhe më pas ata e kanë marrë hapësirën. Por e vërteta është që menjëherë pas betejës Osmanët kanë lënë disa punkte por janë tërhequr për në Anadoll, sepse në vitin 1402 ka ndodhur beteja e madhe e cila njihet si beteja e Ankarasë. Realisht fitues të kësaj beteje janë osmanët me disa zhvillime që e kanë instaluar sundimin osman në Ballkan”, është shprehur ai.

Kurse sipas tij shqiptarët nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën e kësaj beteje.

“Shqiptarët nuk kanë pasur asnjë rol në Betejën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa shënimin e kësaj feste nga ana e serbëve, profesori Krasniqi e ka quajtur vetëm si dëshirë të serbëve për të proklamuar diçka që nuk iu takon dhe që e kanë humbur shumë kohë më parë.

Megjithatë, ai hedh kritika të ashpra ndaj Pakos së Ahtisarit, për të cilën vlerëson se ka shumë lëshime në dëm të shqiptarëve.

“Gabimi me planin e Ahtisarit dhe me provizionin me statusin e veçantë që ka dhënë ai për kishën Ortodokse Serbe në shtetin e Kosovës është i madh sepse serbët këtë zgjidhje të planit të Ahtisarit po e shfrytëzojnë dhe e kanë shndërruar kishën Ortodokse të Kosovës, shtet brenda shtetit”.

Për shënimin e kësaj dite, sot është mbajtur liturgjia e shenjtë në Manastirin e Graçanicës.

Ndërkohë që një ceremoni tjetër fetare është paralajmëruar të mbahet në Gazimestan, në një fushë ku besohet të jetë zhvilluar beteja e Kosovës e shekullit XIV.
Në këtë ceremoni pritet të marrë pjesë patriarku serb Irinej, si dhe drejtori i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen siç thuhej të bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe me paralajmërimin e luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Exit mobile version