Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryediplomati maqedonas për ngrirjen e vizave nga SHBA-ja: Nuk ndikon në procedurat...

Kryediplomati maqedonas për ngrirjen e vizave nga SHBA-ja: Nuk ndikon në procedurat e tjera të vizave amerikane

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, lidhur me vendimin e SHBA-së për pezullimin e vizave të imigrantëve për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë të vendit të tij, tha se kjo nuk ndikon në procedurat e tjera të vizave amerikane, transmeton Anadolu.

Mucunski iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas një aktiviteti në Shkup.

“Nuk bëhet fjalë për ndërprerje apo listë të zezë, por për një pauzë në procedurat për vizat e imigracionit. Kjo nuk ndikon në të gjitha procedurat e tjera për lëshimin e vizave për SHBA-në”, u shpreh ai duke treguar se të gjithë kategoritë tjera do të mund të aplikojnë për vizë.

Ai theksoi se janë në komunikim me Ambasadën e SHBA-së në Shkup dhe se ambasada maqedonase në Washington komunikon me Departamentin amerikan të Shtetit.

I pyetur për pozicionimin e vendit lidhur me Grenlandën dhe nëse do t’i japin mbështetje SHBA-së si partner strategjik, Mucunski tha se beson se do të gjendet një zgjidhje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Dje, SHBA-ja njoftoi se ka pezulluar përpunimin e vizave të imigrantëve për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë pesë shtete të Ballkanit, gjegjësisht Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Exit mobile version