Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryediplomati turk: Hapa të mëdha në vazhdim për normalizimin e marrëdhënieve me...

Kryediplomati turk: Hapa të mëdha në vazhdim për normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite

“Ne nuk kemi pasur një qëndrim negativ ndaj Arabisë Saudite për sa i përket marrëdhënieve të normalizimit, qoftë nga ana tregtare, ekonomike apo politike”, tha Çavuşoğlu

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë të ditur se hapa të rëndësishme janë në vazhdim për normalizimin e marrëdhënieve të vendit të tij me Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk kemi pasur një qëndrim negativ ndaj Arabisë Saudite për sa i përket marrëdhënieve të normalizimit, qoftë nga ana tregtare, ekonomike apo politike”, tha Çavuşoğlu në një intervistë televizive për transmetuesin turk ‘A Haber’.

Duke theksuar se po ndërmerren hapa për ngjalljen e lidhjeve midis dy vendeve, ai tha se, “Mund të them se hapa konkrete do të ndërmerren për këtë çështje në periudhën e ardhshme”.

Çavuşoğlu shtoi se është bërë përparim në bashkëpunimin midis institucioneve gjyqësore të dy vendeve, pavarësisht mungesës së mëparshme të konstruktivitetit nga pala saudite.

– Kërkesë për transferimin e çështjes së vrasjes së Khashoggi-t

Një prokuror turk që ndjek gjykimin për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në vitin 2018 në Stamboll, dje kërkoi nga gjykata që të përfundojë procedurat në Turqi dhe t’ia transferojë çështjen autoriteteve gjyqësore saudite.

26 të pandehurit e arratisur, për të cilët ka urdhër arrest, nuk ishin të pranishëm dje në seancën dëgjimore në Gjykatën e Lartë Penale të Stambollit.

Duke shtyrë seancën, gjykata vendosi të kërkojë mendimin për transferim nga Ministria e Drejtësisë e Turqisë.

Lidhjet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite janë përkeqësuar në vitet e fundit lidhur me politikën e jashtme. Tensionet u rritën pas vrasjes së Khashoggi-t në vitin 2018 në Konsullatën Saudite në Stamboll. /aa

Exit mobile version