Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka bërë thirrje për ashpërsimin e ligjeve për armët e zjarrit, pas sulmit të rëndë me armë në një plazh të Sidneit, ku u vranë 16 persona gjatë një feste hebraike.
Sulmi ndodhi të dielën në mbrëmje, gjatë nisjes së festimeve të Hanukës, kur dy persona të dyshuar – baba dhe bir – hapën zjarr ndaj turmave të mbledhura në plazh. Policia konfirmoi se babai, 50 vjeç, ishte posedues i ligjshëm i armëve dhe kishte licencë për gjashtë armë zjarri, të cilat dyshohet se u përdorën në sulm.
Duke folur për mediat të hënën, Albanese tha se licencat e armëve nuk duhet të mbahen “përjetësisht” dhe se qeveria po shqyrton kufizimin e numrit të armëve që mund të zotërojë një person.
“Qeveria është e gatshme të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Kjo përfshin edhe nevojën për ligje më të rrepta për armët,” tha kryeministri australian. /mesazhi
