Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, është takuar me udhëheqjen e Katarit në Doha gjatë asaj që qeveria britanike e përshkroi si një turne “produktiv” në Gjirin Persik, transmeton Anadolu.
Starmer në kryeqytetin Doha u takua me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Qeveria britanike njoftoi se Starmer “theksoi solidaritetin e Mbretërisë së Bashkuar me Katarin pas sulmeve të pajustifikueshme të Iranit dhe falënderimin e tij për mbajtjen të sigurt të shtetasve britanikë që jetojnë në vend”.
Më tej, thuhet se skuadroni i avionëve luftarakë i përbashkët Mbretëri e Bashkuar-Katar “ka funksionuar mirë së bashku për të mbrojtur rajonin në një kohë nevoje” dhe se “duhet të bëhet punë” për të siguruar që armëpushimi “të shndërrohet në një paqe të qëndrueshme”.
“Ata konfirmuan mbështetjen e tyre të fortë për iniciativat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për parimin e lirisë së lundrimit”, tha qeveria britanike.
Të martën, SHBA-ja dhe Irani njoftuan një armëpushim dyjavor, të ndërmjetësuar nga Pakistani, si një hap drejt një marrëveshjeje më të gjerë për ndalimin e konfliktit që ka lënë mijëra të vrarë dhe të plagosur.
