Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri pakistanez: SHBA dhe Irani do të diskutojnë mbi programin bërthamor brenda...

Kryeministri pakistanez: SHBA dhe Irani do të diskutojnë mbi programin bërthamor brenda 60 ditëve të ardhshme

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif tha sot se SHBA-ja dhe Irani do të diskutojnë për çështjen bërthamore, raketat balistike dhe asetet e ngrira iraniane në bisedimet e nivelit teknik për të arritur marrëveshje të përhershme, pas bisedimeve “të suksesshme” në Zvicër, transmeton Anadolu.

“Të dy palët (tani) do të diskutojnë për çështjen bërthamore, asetet e ngrira dhe çështjet e raketave balistike në 60 ditët e ardhshme. Shpresojmë që do të kthehet në marrëveshje afatgjate në 60 ditët e ardhshme”, u tha Sharif ligjvënësve gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Kombëtare.

Ai i referohej Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit, të cilin SHBA-ja dhe Irani nënshkruan më 17 qershor. Pakistani gjithashtu nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit si ndërmjetës.

Ministria e Jashtme e Iranit tha sot aftësitë raketore të Teheranit nuk janë diskutuar në negociatat me SHBA-në në Zvicër dhe përjashtoi mundësinë e lejimit të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të vizituar objektet bërthamore të synuara gjatë luftës SHBA-Izraelite kundër Iranit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei tha se programi raketor i Iranit nuk u përfshi kurrë në bisedimet me Washingtonin. Ai theksoi se Teherani nuk ka ndërmend t’u lejojë inspektorëve të IAEA-së hyrjen në objektet bërthamore të sulmuara nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Kryeministri pakistanez Sharif tha më tej se është bërë “përparim historik” në bisedimet midis dy vendeve ndërluftuese, të cilat kanë rënë dakord për një udhërrëfyes për të ecur përpara në 60 ditët e ardhshme.

Bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së në Burgenstock të Zvicrës përfunduan të hënën, me marrëveshje mbi disa mekanizma që synojnë avancimin e negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit.

Takimi u zhvillua me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit.

Exit mobile version