Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, vazhdon vizitën zyrtare në Itali, ndërkohë është pritur nga Presidenti i Senatit të Republikës së Italisë, Ignazio La Russa, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë, thuhet se gjatë takimit Peleshi- La Russa u riafirmuan “lidhjet e fuqishme historike dhe aktuale miqësore mes dy popujve”, të cilat theksohet se përbëjnë bazën e bashkëpunimit të sotëm mes parlamenteve, qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve.
“Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shprehu mirënjohjen e shqiptarëve për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në zhvillimin, demokratizimin dhe progresin e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë ka zgjedhur një destinacion të vetëm strategjik për të ardhmen, familjen evropiane. Ai nënvizoi se Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt Bashkimi Europian, duke vlerësuar mbështetjen e fuqishme të Italisë dhe lobimin e saj me vendet e tjera anëtare të BE-së”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe potencialet e reja për zgjerim në sektorë si teknologjia e informacionit dhe inteligjenca artificiale.
Peleshi theksoi nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Senatit Italian, duke vlerësuar gjithashtu sipas njoftimit qasjen dhe kontributin e Italisë për stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për avancimin e shpejtë dhe anëtarësimin sa më parë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi se dy vendet janë aleate të ngushta në NATO dhe vlerësoi politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe paqes”, thekson njoftimi.
Gjithahstu thuhet se Peleshi ftoi Presidentin e Senatit të Italisë, Ignazio La Russa, për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
