Ballina Lajmet Kosovë KSK e Turqisë: Po ndjekim me vëmendje zhvillimet në vendet e Ballkanit

KSK e Turqisë: Po ndjekim me vëmendje zhvillimet në vendet e Ballkanit

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Republikës së Turqisë pas takimit disaorësh nën kryesimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan njoftoi se po ndjekin nga afër zhvillimet në vendet e Ballkanit.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Republikës së Turqisë tha se po monitoron nga afër ngjarjet që mund të ndikojnë në çështjet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe konfirmoi mbështetjen e tij për të gjithë hapat konstruktivë të bazuar në zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjeve.

Pas një takimi treorësh të kryesuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Turqisë konfirmoi se do të vazhdojë përpjekjet për të eliminuar terroristët e PKK/YPG-së, pavarësisht mbështetjes që merr grupi terrorist, siç tregohet nga ngjarjet e fundit në Sirinë dhe Irakun fqinj.

Zhvillimet e fundit në Siri dhe Irak ishin “të rëndësishme për të kuptuar qëllimin e vërtetë të atyre që vazhdojnë të pajisin PKK/KJK-PYD/YPG me të gjitha mjetet dhe aftësitë, duke përfshirë helikopterët, nën maskën e luftimit të organizatës terroriste DAESh”, thuhet në deklaratën e publikuar pas mbledhjes disaorëshe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të kryesuar nga presidenti turk Erdoğan.

PKK-ja, e cila renditet si një organizatë terroriste në Turqi, në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 civilëve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, gjatë një periudhe prej më shumë se 35 vjetësh. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Duke vënë në dukje suksesin e Turqisë në operacionet antiterroriste, Këshilli i Sigurisë Kombëtare ripohoi vendosmërinë e vendit “për të eliminuar plotësisht organizatën separatiste-terroriste (PKK/YPG) dhe të gjitha degët e saj, me gjithë mbështetjen që qëndron pas tyre, dhe nuk do të lejojë krijimin e korridorit terrorist përgjatë kufijve të tij”.

“Në kuadër të politikës turke, e cila bazohet në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, e krijuar dhe zbatuar në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë me vendet e Ballkanit, monitorohen me kujdes ngjarjet që mund të ndikojnë në çështjet në rajon”, theksohet në njoftim dhe konfirmohet mbështetja për të gjithë hapat konstruktivë të bazuar në zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjeve.

Në kuadër të marrëdhënieve me Greqinë, Këshilli shprehu vullnetin e tij për të ruajtur atmosferën pozitive që u arrit së fundmi, duke theksuar se do të jetë e dobishme për të dyja palët, por edhe për rajonin. Më tej, theksohet se zhvillimet aktuale në detin Egje dhe në Mesdheun Lindor po monitorohen nga afër.

Exit mobile version