Ballina Artikuj Kujdes gjuhën !

Kujdes gjuhën !

Hoxhë Sadik Avdiu

Gjuha është mirësi nga më të mëdhatë, andaj atë e përmend edhe Allahu në Kuran si të tillë:

“A nuk i dhamë Ne atij dy sy. Edhe gjuhë dhe dy buzë” (El Beled 8-9).

Gjuha sikur edhe gjymtyrët tjera duhet ruajtur e përdorur vetëm për të mira, fjalë motivuese, shëruese, e jo fjalë thumbuese të cilat kanë qëllim ofendimin e të tjerëve po edhe glorifikimin e vetës.

Arma shkakton plagë të rënda por ato shërohen kurse plagët e shkaktuara nga gjuha ato futen thellë në zemër dhe nuk shërohen lehtë ose fare.

Nga porositë më madhore që i kemi nga Muhamedi alejhi selam është edhe porosia e tij ku thotë:

“Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë”(Buhariu dhe Muslimi)

Gjithashtu imam Ahmedi përmend se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk plotësohet besimi i njeriut derisa nuk përmirësohet zemra e tij, por zemra nuk mund të përmirësohet derisa gjuha nuk kontrollohet” (Ahmedi, 3/198)

Shumë njerëz nuk i kushtojnë rëndësi të folurit, ata shpësh bien viktimë e të folurit dhe e lëshojnë gjuhën e tyre duke mos e kontrolluar atë.

Ka raste kur fjalët qe i nxjerrin nuk ua dinë rrezikun e as nuk e mendojnë atë ku si rezultat arrijnë mëkate te mëdha të paparashikuara.

Allahu i Madhëruar i përshkruan hipokritët ose ata që kishin sëmundje në zemrat e tyre të cilët nuk i ruanin gjuhët e tyre, dhe ata i përshkruajti duke thënë:

“Kur ju shpifjen e përcollët me gjuhët tuaja dhe për atë që nuk patët dituri folëshit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa tek Allahu ajo është e madhe” (En- Nur 15)

Ndërsa për fjalët e mira Allahu i Madhëruar thotë:

” “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që i ka rrënjët thellë (në tokë) e degët e saj janë lart. E që, me vullnetin e Zotit, ajo jep frutat e veta në çdo kohë. Allahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar”.

( Ibrahim, 24-26.)

Andaj para se te flasim të kemi kujdes, sepse me një fjalë mund të lëndojmë e të pengojmë nga punët e mira ose të nxisim për vepra të liga.

Exit mobile version