Sot, për Kosovën ishte një ditë e kobshme. Pasi që nga aksidentet në komunikacion u shkaktuan katër vdekje. Fillimisht, Zoti i shpërbleftë viktimat, i mëshiroftë ato dhe i dhasht durimin familjarëve të tyre.
Miq, çdo njëri prej nesh jemi përgjegjës për veprat tona andaj një pakujdesi e jona gjatë vozitjës mund të shuaj një familje të tërë, mund të hap plagë të përjetshme, dhe të shkaktojë dhimbje të pariparueshme.
Mendoj që një prej shkaktarëve kryesor të aksidenteve është edhe përdorimi i veturave të huaja. Veturat e vozitura për herë të parë nuk mund të vozitën siç vozitet vetura jote përsonale apo familjare. Kjo ngase çdo veturë ka specifikat e veta duke filluar nga fuqia e motorit, gjendja e saj mekanike, fuqia e djegies së karburantit, sistemi i frenimit, fuqia e tërheqjes, etj.
Prandaj, kur merr një veturë të huaj për të vozitur, kujdesi duhet të jetë edhe më i shtuar.
Sot, për të shmangur aksidentet ndoshta forma më e mirë do të ishte praktikimi i sistemit të dhënies përparësi.
Pra, le të kemi parasysh lodhjen e bashkëatdhetarëve tanë që udhëtojnë me mijëra kilometra, euforinë e tyre për të reklamuar veturat e shtrenjta, nxitimin e tyrë për të kryer sa më shumë punë në sa më pak kohë, etjen e tyre për free style vozitje, mundësitë e tyre për të paguar gjobat me kosto shumë më të ulët se të vendeve të tyre, etj.
Andaj, këtë muaj le ti japim përparësi mërgatës tonë të dashur dhe le të bindemi se rruga nuk është vendi ku tregohet i forti. Kjo, ngase në aksident askush nuk mund të kalkulojë pasojat sepse çdo gjë varet nga presioni i ajrit në momentin e goditjes.
Ky muaj, le të jetë i mërgatës tonë andaj ne si qytetarë të përhershëm të Kosovës le të shmangim daljet në rrugë. E nëse veç duhet të dalim atëherë le tu japim përparësi sa më shumë të tjerëve…
Zoti xh.sh e ruajt popullin tonë gjatë këtyre ditëve të verës…
Nga: Artan Musliu
