Pas çdo ngjarjeje tragjike, si ato që po tronditin qytetet tona këto ditë , përfshirë edhe ngjarjet e fundit në Tetovë, ku dhuna, krimi dhe humbja e jetëve të pafajshme kanë trazuar ndërgjegjen publike , ne ngremë zërin për ti dënuar dhe gjykuar këto akte të dhunshme . Disa nga ne fajin ia hedhin mosfunksionimit të ligjit, të tjerë moszhvillimit të mjaftueshëm të vendit, e të tjerë ndryshimeve të shpejta shoqërore e kulturore. Pa mohuar ndikimin e këtyre faktorëve, shkaku më i thellë është neglizhimi i kujdesit ndaj vetë qenies njerëzore.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Jo, me të vërtetë, njeriu shkel kufijtë (kur mendon se s’ka nevojë për askënd).” Ky është realiteti i hidhur i shoqërive që shpërfillin edukimin shpirtëror, moral dhe vleror të njeriut: ai bëhet mendjemadh, humb frikën nga Zoti dhe guxon të kryejë padrejtësi.
Allahu po ashtu ka thënë: “Ka shpëtuar ai që e ka pastruar (veten e tij), dhe ka dështuar ai që e ka ndotur.” Ky është themeli i çdo ndërtimi të qëndrueshëm: pastrimi i shpirtit, forcimi i moralit dhe ngritja e vlerave.
Njeriu që rritet në një mjedis ku merr kujdes shpirtëror, moral dhe vleror, bëhet shtyllë e stabilitetit, qetësisë dhe zhvillimit. Por kur shpirti, morali dhe vlerat lihen pas dore, ai kthehet në burim krimi, shkatërrimi dhe rrënimi. Ngjarjet e fundit në Tetovë e dëshmojnë këtë realitet: aty ku humbet ndjenja e përgjegjësisë dhe frika nga Zoti, aty lind guximi për të marrë jetë, për të shkatërruar pronë dhe për të helmuar sigurinë e përbashkët.
Prandaj, nëse duam një shoqëri dhe individë të shëndoshë, duhet të fillojmë nga ndërtimi i vetëdijes dhe vetëkontrollit , themelet e çdo rendi të drejtë. Vetëm mbi këto themele mund të vendosen ligje të forta, si gardh që mbron nga lakmia dhe agresiviteti. Por, nëse themelet lëkunden dhe gardhi dobësohet, madje dëmtohet nga vetë çobani, atëherë vaj halli për shoqërinë dhe vatanin.
Hoxhë Rufat Sherifi
